Aktualitet Politikë

Statuti i PD-së, Apeli Tiranë ndryshon relatorin e çështjes!

Gjykata e Apelit Tiranë, ka ndryshuar relatorin për çështjen e PD-së, lidhur me regjistrimin në gjykatë të statutit të korrikut 2021. Në njoftimin e sotëm thuhet:

Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë u shqyrtua kërkesa me Nr. 214 Akti, datë 13.12.2021, me kërkuese: Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi; me objekt: Pasqyrimin e ndryshimeve të Statutit të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe të organeve të reja të zgjedhura në Kuvendin Kombëtar të datës 17.7.2021, e gjykuar nga gjyqtare Blerina Muça, për të cilën kjo gjykatë ka dhënë vendimin nr. 2, datë 18.03.2022 dhe ka vendosur: “1. Pranimin e kërkesës se palës kërkuese Partia Domokratike e Shqipërisë. Depozitimin e statutit dhe vendimeve te dala nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike te Shqipërisë e datës 17.07.2021. 3. Kundër këtij vendimi mund te behet ankim sipas ligjit.”

Kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim vetë pala kërkuese Partia Demokratike e Shqipërisë. Në datën 12.04.2022, është dërguar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, pranë Gjykatës së Apelit Tiranë ankimi i mësipërm dhe në bazë të shortit elektronik relator i çështjes, është caktuar gjyqtar Genti Shala.

Në bazë të vendimit nr.7, datë 01.06.2022, të Këshillit të Gjykatës së Apelit Tiranë “Për rindarjen me short të çështjeve gjyqësore”, në kushtet e caktimit rishtazi (ngritjen në detyrë) në këtë Gjykatë të katër gjyqtarëve, Elona Mihali, Irida Kacerja, Marsela Dervishi dhe Ornela Naqellari është vendosur rindarja me short midis gjyqtarëve të çështjeve civile, të cilat nuk janë shpallur për gjykim nga gjyqtarët Alma Ahmeti, Edlira Petri, Elbana Lluri, Emona Muci, Genti Shala, Ilir Toska dhe Valdete Hoxha, të ngarkuar më herët si relatorë, deri në ngarkesën mesatare të ponderuar të çështjeve civile. Në total janë 12.863 çështje civile të regjistruara nga viti 2016- 22.04.2022, të cilat i’u nënshtruan procedurës së rishortimit. Në bazë të shortit elektronik dosja e mësipërme gjyqësore i ka rënë për gjykim gjyqtares relatore Irida Kacerja. Më herët Gjykata e Apelit Tiranë njoftoi vendimet e Këshillit nr. 7 dhe nr. 8.