Bota

Stoltenberg si Biden: Putin bëri gabime strategjike me Ukrainën!

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin nënvlerësoi guximin e ukrainasve dhe mbështetjen e aleatëve të tyre. Kështu deklaroi sot shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg pas takimit me kryeministrin britanik, Rishi Sunak në Downing Street.

Putini bëri disa gabime të mëdha kur pushtoi Ukrainën, gabime strategjike. Njëri ishte nënvlerësimi i ukrainasve, guximi i tyre, angazhimi i tyre për të luftuar dhe mbrojtur vendin. Gabimi tjetër që bëri ishte nënvlerësimi i aleatëve, partnerëve të NATO-s, në aftësinë tonë për të mbështetur Ukrainën.

Gjatë vizitës së tij në Britaninë e Madhe, Stoltenberg do të marrë pjesë në një takim të Forcave të Përbashkëta Ekspeditore të NATO-s në Edinburg.

Nëse presidenti rus Putin fiton në Ukrainë, do të jetë katastrofike për ukrainasit, por gjithashtu do të na bëjë më të prekshëm; sepse, atëherë mesazhi … (për) udhëheqësit e tjerë autoritarë do të jetë se ata mund të t’ia dalin, të arrijnë qëllimet e tyre duke përdorur forcën brutale ushtarake.

Lidhur me njoftimin e tërheqjes së Rusisë nga qyteti ukrainas Kherson, Stoltenberg u shpreh se mbetet për t’u parë “çfarë ndodh në të vërtetë në terren”.

Ai shtoi se Rusia është shtyrë prapa rreth Kievit, Kharkivit e Khersonit dhe vuri në dukje se “është inkurajuese të shohësh si forcat e guximshme ukrainase janë në gjendje të çlirojnë më shumë territor të Ukrainës”.

Fitoret që po korrin Forcat e Armatosura të Ukrainës u përkasin ushtarëve të guximshëm ukrainas. Por, sigurisht, mbështetja që ata marrin nga Mbretëria e Bashkuar, nga aleatët dhe partnerët e NATO-s është gjithashtu thelbësore.

Gjithashtu, kreu i Aleancës Veri-Atlantike përshëndeti Mbretërinë e Bashkuar për trajnimin e afro 30 mijë ushtarëve ukrainas. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s tha se takimi i tij me Sunak ishte “një takim i mirë dhe kam besim se do të vazhdoj të llogaris në Mbretërinë e Bashkuar si një aleat kryesor i NATO-s”. Kohë më parë ishte presidenti amerikan, Biden i cili tha se “Putin i bëri keq llogaritë me Ukrainën”.