Bota

Stoltenberg: Sot nisi një epokë e re për NATO-n!

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Aleanca po hyn në një epokë të re me marrëveshjen që i lejon Suedisë dhe Finlandës të aderojnë në të.

Deklarata erdhi pas bisedimeve me Turqinë, e cila kishte kundërshtuar anëtarësimin e vendeve nordike me argumentin se mbështesnin separatistët kurdë.

“Sot, liderët e NATO-s morën vendimin historik për të ftuar Finlandën dhe Suedinë të bëhen vende anëtare. Marrëveshja e arritur mbrëmjen e së martës me Turqinë i hapi rrugë këtiij vendimi. Kjo është një marrëveshje pozitive për Turqinë, për Finlandën, Suedinë dhe vetë NATO-n”, tha ai.

Stoltenberg e vuri theksin edhe tek mbështetja e NATO-s për Ukrainën në luftën me Rusinë, duke nënvizuar se vendi do të ketë asistencë ushtarake përsa kohë të jetë e nevojshme.

“Ukraina mund të mbështetet tek ne për sa kohë të nevojitet. Aleatët do vazhdojnë t’i ofrojnë ndihmë ushtarake dhe financiare dhe sot, liderët ranë dakord të forcojnë këtë mbështetje, duke miratuar një paketë ndihme për Ukrainën”, u shpreh Stoltenberg.

Megjithatë, një grup qytetarësh ukrainas protestuan jashtë godinës ku po mbahet samiti, me argumentin se Aleanca nuk po bën sa duhet për të mbrojtur vendin e tyre.