Bota

Stoltenberg: Ukraina do të marrë një dërgesë më të madhe të armëve të rënda

Ukraina së shpejti mund të presë një dërgesë më të madhe të armëve të rënda nga vendet perëndimore, tha sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në një intervistë për gazetën gjermane Handelsblatt.

“Premtimet e fundit për pajisjet e rënda të luftës janë të rëndësishme – dhe unë pres më shumë në të ardhmen e afërt. Jemi në një fazë vendimtare të luftës. Prandaj është e rëndësishme që t’i ofrojmë Ukrainës armët që i duhen për të fituar,” shtoi ai.

Këtë javë, një takim i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, i cili koordinon dërgesat e armëve në Kiev, do të mbahet në bazën ajrore Ramstein në Gjermani.

Në fillim të këtij muaji, Franca, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara premtuan tanke të lehta franceze AMX-10 RC, 40 automjete luftarake të këmbësorisë gjermane Marder dhe 50 automjete luftarake Bradley.

Sakaq, numri i personave të vdekur nga sulmet me raketa ruse në qytetin ukrainas Dnjipro, ka shkuar në 25, ka bërë të ditur Këshilli i qytetit.

Sipas tij, 72 persona janë plagosur si pasojë e sulmeve, të cilat janë shtrirë edhe në qytete tjera.

Sipas të dhënave, 39 persona, përfshirë gjashtë fëmijë, janë shpëtuar.

Më herët gjatë ditës, këshilli ka shpallur tri ditë zie, për atë që e ka përshkruar “sulmin më të rëndë terrorist në Dnjipro”, prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë.

Ekipet e shpëtimit kanë përdorur një kran për të evakuuar personat e bllokuar në katet e sipërme të ndërtesës nëntëkatëshe.

Ushtria ukrainase beson se ndërtesa është goditur me raketë me rreze të gjatë, Kh-22.

Si rezultat, hyrja e ndërtesës është shkatërruar plotësisht.

Sipas ushtrisë, vetëm më 14 janar, Rusia ka kryer tri valë të sulmeve në qytetet ukrainase.

Për sulmet është raportuar në ditën kur kryeministri britanik, Rishi Sunak, ka thënë se Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë tanke në Ukrainë, për t’iu ndihmuar forcave ukrainase që të “zmbrapsin forcat ruse”.