Sociale

“Strategjia e bllokimit të punëve të qytetit është e dështuar”/Veliaj: Shumica e njerëzve ma dhanë votën për të ndërtuar edhe teatrin

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj deklaron se puna për teatrin nuk do të ndalet dhe për këtë ka dhe mbështetjen e komunitetit të artistëve. Veliaj theksoi se qytetarët e Tiranës e kanë votuar atë që të ndërtojë dhe teatrin e ri.

“Kam gëzim, sepse komuniteti i artistëve ishte aty. Nëse ti quan komunitet artistësh Primaret e foltores, të “non grata-s”, aty vetëm artistë nuk pashë. Unë artist quaj Robert Ndrenikën, unë artist quaj Tinka Kurtin, unë artist quaj Luftar Pajën, artist quaj Spiro Dunin, unë kryeregjisor quaj Altin Bashën. Pra, këta janë njerëz që kanë dalë në skenë dhe kanë prodhuar. Këta që dalin në skena partish, këta s’janë artistë. Ua bëftë zoti hallall, iu shkoftë jeta mbarë në politikë, por për sa kohë që këta s’merren me art dhe nuk dalin në skenë, kështu që komunitet artistësh ishin ata që ishin aty dhe që sigurisht e kishin interesin dhe debatin për teatrin xhenuin, të vërtetë. Kështu që në këtë sens, ndihem mirë që ata që përfaqësojnë artin, ishin aty. Kur dikush thotë – “Pse s’më ftove mua, se unë jam kundra!” Nëse ti je kundër, është evidente që nuk je për këtë punë, na lër ne të tjerëve të gëzojmë, që përfaqësojmë votat e qytetit. Pra unë kandidova duke thënë, po më votuat mua, unë do ndërtoj teatrin. Shumica e njerëzve ma dhanë votën, përfshi edhe për të ndërtuar teatrin”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se koha ka treguar se shumica e qytetarëve të Tiranës duan që gjërat të ecin përpara dhe jo të bllokohen punët ne qytetit.

“Kjo histeria e këtyre njerëzve që thonë – “Prej inatit tim këtu s’do bëhet asnjë punë” – e bënë të njëjtën gjë me “Astirin”, të njëjtën gjë me bulevardin. Qartazi, qyteti sa herë i jepet mundësia të votojë, konfirmon që do të vazhdojë në këtë drejtim, ndryshe do ia jepnin votat këtyre. Dhe nuk më rezulton ende, me shpresë kurrë, që Tirana do votojë, ose do mbështesë njerëz që bllokojnë punën e qytetit. Kur kupton që kjo është një strategji e dështuar, u bë që nga këndi i lodrave blloko e blloko, qartazi shumica e njerëzve nuk duan që të bllokohen, duan që gjërat të ecin përpara, kanë një jetë. Të shkojnë si njerëz në teatër, pa batanije në dimër dhe pa peshqir në verë”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.