Bota Lifestyle Travel

Strategjia e Turqisë për të tërhequr turistët rusë!

Turqia po përpiqet të tërheqë më shumë turistë rusë duke zgjeruar përdorimin e “Mir”, sistemi vendas rus i pagesave, pasi ajo kërkon të anashkalojë pengesat e krijuara nga sanksionet perëndimore. Turqia sivjet dëshiron t’i rrisë të ardhurat që vijnë nga turizmi e t’i çojë ato në nivelet e para-pandemisë, për të rigjallëruar një ekonomi të goditur rëndë nga kriza e zhvleftësimit të lirës turke. Kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, sepse Turqia sipas DW, mbështetet shumë tek energjia, tregtia dhe turizmi rus.

Në vitin 2019, shkëmbimi tregtar midis dy vendeve arriti në 26.3 miliardë dollarë ndërsa Rusia është gjithashtu një nga furnizuesit kryesorë të energjisë për Turqinë. Turqia, vend anëtar i NATO-s, i kundërshton në parim sanksionet perëndimore ndaj Rusisë dhe nuk iu është bashkuar këtyre sanksioneve. Ajo dëshiron të mbajë marrëdhënie të mira si me Rusinë ashtu edhe me Ukrainën, në mes të një krize ekonomike të thelluar në vend, me inflacionin që arrin në nivelin më të lartë të 20 viteve, nëpërmjet rritjes së kostove të energjisë dhe të grurit.

Kjo është arsyeja pse të ardhurat nga turizmi shihen si jetike për reduktimin e deficitit, por kufizimet e pagesave me karta dhe operacionet e fluturimeve për shkak të sanksioneve kanë shkaktuar frikën e një rënieje të turizmit rus në Turqi. Megjithatë, Turqia mund të ketë gjetur një zgjidhje. Rusët mund të paguajnë me kartat “Mir”.

Gjigantët amerikanë të kartave Mastercard dhe Visa kanë pezulluar veprimet bankare për shtetasit rusë si pjesë e sanksioneve amerikane që synojnë të ndëshkojnë presidentin Vladimir Putin. Por Turqia ka një formulë për të lejuar turistët rusë të udhëtojnë në Turqi, duke anashkaluar pezullimin e Visa dhe Mastercard. Rusët në Turqi janë në gjendje të aksesojnë fondet e tyre përmes sistemit rus të pagesave “Mir”.

Rusia krijoi “Mir” (rusisht do të thotë “paqe” ose “botë”) në vitin 2014, nga frika se sanksionet perëndimore kundër bankave ruse dhe njerëzve të biznesit për aneksimin e Krimesë mund të bllokonin transaksionet e bëra me Mastercard dhe Visa. Më vonë “Mir” u prezantua në disa vende të huaja ku udhëtojnë dhe jetojnë rusët.

Sipas Bankës së Rusisë, kartat “Mir”, të përdorura për transferta bankare, pranohen në të gjithë Federatën Ruse dhe në 12 vende të tjera, duke përfshirë Armeninë, Kirgistanin, Kazakistanin, Bjellorusinë, Vietnamin dhe Qipron. Në fund të vitit 2021, numri i kartave të lëshuara “Mir” arriti në 113.6 milionë.