Aktualitet Health & Beauty

Studim/Edhe format e lehta të COVID-19 shkaktojnë ‘tkurrje’ të trurit të njeriut!

Edhe një rast i lehtë i COVID-it mund të shkaktojë një humbje të materies së trurit të barabartë me një dekadë plakjeje, sipas një studimi të ri të botuar së fundmi, duke çuar në “rënie më të madhe njohëse” sesa njerëzit që nuk janë prekur nga COVID-19.  Studimi ofron prova shtesë të efekteve të COVID në të gjithë trupin, disa prej të cilave mund të kenë pasoja të përhershme në shëndetin e pacientit.

Studimi i 785 vullnetarëve, të moshës 51 deri në 81 vjeç, u krye në bashkëpunim me U.K. Biobank – një nismë për të kataloguar informacionin shëndetësor të gjysmë milioni banorëve të Mbretërisë së Bashkuar. Studiuesit krahasuan dy skanime të trurit të secilit subjekt, të marra me 38 muaj diferencë, me skanimin e parë të kryer përpara fillimit të pandemisë. Në periudhën e ndërmjetme, 401 prej vullnetarëve kishin rezultuar pozitivë për COVID, duke siguruar një grup testimi dhe kontrolli për efektet e koronavirusit në tru.

Në rrethana normale, njerëzit humbin rreth 0.2 deri në 0.3% të materies së trurit të tyre çdo vit përmes plakjes. Megjithatë, studimi zbuloi se pacientët me COVID përjetuan një humbje shtesë prej diku midis 0.2 deri në 2% të madhësisë së trurit të tyre në tre vitet midis skanimeve. Në rastin më të keq, kjo është një humbje e barabartë me tkurrjen e trurit tuaj gjatë 10 viteve.

Vetëm 15 nga vullnetarët që rezultuan pozitivë me COVID-19 duhej të shtroheshin në spital për shkak të virusit, që do të thotë se edhe rastet e lehta çuan në humbje të dukshme të materies së trurit. Studiuesit gjetën gjithashtu dëmtime në zonat e trurit përgjegjës për nuhatjen, gjë që mund të ndihmojë për të shpjeguar një nga simptomat më të zakonshme të raportuara të COVID-19, humbjen e nuhatjes dhe shijes. Dr. Serena Spudich nga Shkolla e Mjekësisë Yale, tha për “New York Times” se:

Kjo është provë mjaft bindëse se diçka ndryshon në trurin e këtij grupi të përgjithshëm njerëzish me COVID-19.

Pavarësisht se njihet kryesisht si sëmundje respiratore, COVID-19 sulmon disa pjesë të trupit përveç mushkërive. Një studim në fund të vitit të kaluar zbuloi se koronavirusi mund të sulmojë drejtpërdrejt qelizat dhjamore, ndoshta duke shpjeguar pse pacientët mbipeshë dhe obezë kanë qenë më të ndjeshëm ndaj COVID-it me simptoma më të rënda.

Pacientët me COVID-19 mund të vuajnë nga një gamë e gjerë gjendjesh kronike muaj pasi kanë rezultuar pozitivë, duke përfshirë depresionin, humbjen e flokëve dhe lodhjen. COVID gjithashtu ka qenë i lidhur me shkallë më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare dhe sulmeve në zemër. Edhe rastet e lehta duket se shkaktojnë raste të “COVID-it afatgjatë”.

Megjithatë, shkencëtarët dolën kundër lidhjes së një reduktimi të materies së trurit me rënien e aftësive njohëse të tij. Spudich tha se:

Ne jemi me fat që kemi tru jashtëzakonisht elastik që mund të funksionojë me shumë sulme të mundshme pa përjetuar ndonjë dëmtim.

Kërkohen më shumë kërkime për të përcaktuar nëse efektet tkurrëse të COVID në trurin e njeriut janë gjithashtu të përhershme. Siç tha neuroshkencëtarja Gwenaëlle Douaud, një nga autoret e studimit:

Truri është “plastik” dhe mund të shërohet vetë.