Bota

Studimi i fundit, Pfizer efikas te moshat 12-18/vjeç!

Te të rinjtë e moshës 12 deri në 18-vjeç rezulton shumë efektive vaksina kundër koronavirusit e kompanive Pfizer dhe BioNTech. Efikasiteti konstatohet në parandalimin e infeksionit dhe simptomave të sëmundjes nga varianti Delta. Në këtë përfundim del një studim i fundit i kryer në Izrael.

Rezultatet e kërkimit, të botuara në New England Journal of Medicine, ndoshta do të ofrojnë më shumë siguri mbi efektivitetin e vaksinës për t’i mbrojtur të rinjtë nga varianti Delta. Ndërkohë, FDA-ja amerikane, Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve në Shtetet e Bashkuara, po shqyrton autorizimin e përdorimit të vaksinës te fëmijët e moshës 5-vjeç.

Nga studimi, doli se në ditën e 7-të deri të 21-tën nga doza e dytë, efektiviteti i vaksinës te adoleshentët, varion nga 90 në 93%. Organizata izraelite për shëndetin Clalit dhe studiuesit e Universitetit të Harvardit rishikuan të dhënat e 94.354 personave të grupmoshës 12 deri në 18-vjeç që kishin marrë vaksinën e të po kaq bashkëmoshatarëve, të pavaksinuar.

Studimi u krye mes muajve qershor-shtator, kur varianti Delta dominonte rastet në Izrael. Në fillim të kësaj jave, nga një analizë e publikuar nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA u tha se vaksina Pfizer&BioNTech ishte 93% efektive në parandalimin e shtrimeve në spital te personat e moshës 12-18/vjeç.
Vaksina është e autorizuar për fëmijët e moshës 12 vjeç e lart dhe kompanitë po kërkojnë miratim të mëtejshëm nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve, për përdorim te fëmijët që janë 5-vjeç.