Bota

Studimi i fundit tregon se nuk ka nevojë për dozë përforcuese vaksine anti-COVID!

Vaksinat janë mjaftueshëm efektive që të parandalojnë forma të rënda të COVID-it e në përgjithësi nuk nevojitet dozë e tretë. Kjo theksohet në një studim të publikuar në revistën mjekësore “The Lancet”.

Disa shtete po ofrojnë doza shtesë nga frika e variantit më ngjitës, Delta, që ka detyruar Organizatën Botërore të Shëndetësisë të bëjë thirrje për moratorium sa i përket dozave të treta. Kjo pas shqetësimeve për furnizimin me vaksina në vendet e varfra, ku miliona persona ende nuk kanë marrë dozën e parë. Por, raporti i përpiluar nga shkencëtarët, mes tyre edhe nga OBSH-ja, doli në përfundimin që “me kërcënimin e Deltës dozat përforcuese në popullatë nuk janë të përshtatshme në këtë fazë të pandemisë”.

Pasi shqyrtuan studimet vëzhguese dhe provat klinike, autorët e studimit konkluduan se vaksinat vazhdojnë të jenë shumë efektive ndaj simptomave të rënda të COVID-19, në të gjitha variantet kryesore të virusit, përfshirë Deltën. Por, rezultatet nuk ishin të larta në parandalimin e formave asimptomatike.

Në përgjithësi, studimet aktuale nuk japin të dhëna të besueshme për rënien e ndjeshme të mbrojtjes kundër sëmundjes së rëndë, që është qëllimi kryesor i vaksinimit.

Autorja kryesore e studimit Ana-Maria Henao-Restrepo kërkon që dozat e vaksinës të shkojnë edhe për njerëz që ende presin të vaksinohen.

Nëse vaksinat dërgohen kudo, ato do të bënin më të mirën, duke shpejtuar fundin e pandemisë e parandaluar shfaqjen e varianteve të reja.

Vende si Franca kanë nisur dhënien e dozave të treta për personat e moshuar dhe njerëzit me sistem imunitar të dobët. Izraeli shkoi më tej, duke iu ofruar personave mbi 12-vjeç dozën e tretë, pesë muaj pas vaksinimit të plotë.

Studimi i publikuar në “The Lancet” del në konkluzionin që variantet ekzistuese nuk janë të zhvilluara aq shumë sa t’i shmangen përgjigjes imunitare që ofrohet nga vaksinat aktuale. Autorët e studimit argumentuan se nëse dalin mutacione të reja të virusit që nuk ofrojnë mbrojtje imunitare do të ishte më mirë të administroheshin doza përforcuese të modifikuara, për t’i luftuar.

Shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus bëri thirrje që të shmanget dhënia e vaksinave shtesë deri në fund të vitit. OBSH-ja ka përcaktuar si objektiv që të gjitha shtetet të vaksinojnë të paktën 10% të popullatës deri në fund të këtij muaji e të paktën 40% deri në fund të vitit. Gjithashtu, dëshiron që të paktën 70% e popullatës botërore të jetë e vaksinuar deri në mesin e vitit të ardhshëm.