Bota Lifestyle

Studimi i fundit tregon se përdoruesit e Android janë drejtues më të mirë të mjetit se përdoruesit e Iphone!

Përdoruesit e Android janë shoferë më të mirë makinash në krahasim me përdoruesit e iPhone dhe këtë e pohon një studim i fundit nga kompania amerikane e sigurimit të makinave dhe shtëpive ‘Jerry’. Studimi përfshiu gjithsej 20,000 shoferë amerikanë që udhëtonin për mbi 13 milionë km dhe u nda në gjashtë kategori: drejtimi i përgjithshëm i sigurt, shpërqendrimi gjatë drejtimit të mjetit, shpejtësia, kthimi, përshpejtimi dhe frenimi.

Sipas rezultateve të studimit, përdoruesit e Android dolën më mirë në të gjashtë kategoritë krahasuar me përdoruesit e iPhone, veçanërisht në kategorinë e shpërqendrimit gjatë drejtimit të mjetit. Rezultatet u formuan bazuar në pikët e kreditit të caktuara për drejtuesit e përfshirë në studim. Kompania amerikane arriti në përfunsimin se rezultatet më të larta të kreditit u fituan nga pronarë të moshuar të cilët përdorin kryesisht pajisjet Android dhe jo Iphone.

Në shumicën e kategorive, përdoruesit e Android shënuan rezultate më të larta se përdoruesit e iPhone, pavarësisht nga mosha, gjinia, arsimi dhe statusi martesor, për të cilat kompania ‘Jerry’ thotë se janë treguesit kryesorë të rezultateve të drejtimit të sigurtë. Sipas studiuesve të studimit, rezultatet tregojnë se përdoruesit e Android janë më pak të prirur të thyejnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe të ngasin në mënyrë më të sigurtë mjetin, krahasuar me përdoruesit e rregullt të iPhone që priren të jenë më të hutuar gjatë drejtimit të makinave.

Duhet të theksohet se ky studim nuk shqyrton domosdoshmërisht natyrën individualiste të përdoruesve të Android dhe iPhone, por më tepër përpiqet të ofrojë një këndvështrim shumë të përgjithësuar mbi drejtuesit amerikanë dhe preferencën e tyre për Android ose për iPhone.

Vlen të theksohet gjithashtu se nga një studim i kryer së fundmi është arrtiur në përfundimin se pavarësisht se gratë për vite me radhë i janë nënshtruar vërejtjeve seksiste në lidhje me drejtimin e makinave, hulumtimet e reja kanë vërtetuar se ato janë më të mira në drejtimin e mjetit sesa burrat.