Health & Beauty

Studimi japonez zbulon metodën e rritjes natyrale të dhëmbëve në çdo moshë

Dihet tashmë që për shumicën prej nesh, apo pjesën dërrmuese të njerëzve anembanë botës, vizita te dentisti është një bezdi e detyrueshme, ndërkohë që në disa raste, shndërrohet në një makth të vërtetë, por edhe një problem i madh ekonomik.

Por, në të ardhmen, problemet me dhëmbët mund të jenë shumë të thjeshtuara, falë një studimi revolucionar japonez.

Një ekip shkencor i Universitetit të Kyotos dhe Fukuit, përmes një trajtimi gjenetik, ka zbuluar se bllokimi i gjenit USAG-1 përmes përdorimit të disa antibiotikëve që veprojnë specifikisht ndaj tij, lejon rritjen natyrale të dhëmbëve, edhe kur ata kanë rënë.

E dinim që bllokimi i USAG-1 ndihmon në rritjen e dhëmbëve, por nuk dinim ende sa e plotë ishte ajo- deklaroi përgjegjësi i studimit, Katsu Takahashi.

Studimet kanë dhënë rezultate të papritura dhe të shkëlqyera te minjtë, dhe në një fazë të dytë edhe tek familja e mustelidëve, si qelbësit  apo nuse lalat që kanë dhëmbë më të ngjashëm me njeriun. Në të dy rastet, dhëmbët e rënë u rritën deri në formën origjinale.

Plani i ardhshëm është eksperimentimi te gjitarë më kompleks, si derrat dhe qentë, që do të ishte paradhoma për testimin te njerëzit.