Bota

Studimi: Omicron duhet marrë seriozisht, po aq i rëndë sa variantet e tjera!

Varianti Omicron i virusit SARS-CoV2 është po aq i rëndë sa variantet e mëparshme, ndryshe nga supozimet e bëra në studimet e mëparshme se ishte më i transmetueshëm.

Këto janë të dhënat e publikuara nga një studim në SHBA, nga shkencëtarët e Spitalit të Përgjithshëm të Massachusetts, Universitetit të Minervas dhe Shkollës Mjekësore të Harvardit.

“Ne zbuluam se rreziqet e shtrimit në spital dhe vdekshmërisë ishin pothuajse identike midis periudhave,” thanë katër shkencëtarë që kryen studimin bazuar në të dhënat e 130,000 pacientëve me COVID-19, duke iu referuar dy periudhave të ndryshme të pandemisë.

Studiuesit që arritën në përfundimin se varianti Omicron ishte më pak i rëndë, kryen studime në vende të ndryshme duke përfshirë Afrikën e Jugut, Skocinë, Anglinë dhe Kanadanë.

Ata thanë se studimi i tyre mund të kishte disa kufizime, duke përfshirë mundësinë që ai të nënvlerësonte numrin e pacientëve të vaksinuar në valët më të fundit të COVID, dhe numrin total të infeksioneve, sepse përjashtonte pacientët që kryenin teste të shpejta në shtëpi.

Ndërkaq në një zhvillim të fundit, Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Blinken është infektuar me COVID-19, raporton DASH.

“Sekretari është plotësisht i vaksinuar kundër virusit dhe po kalon vetëm simptoma të lehta“, tha departamenti në një deklaratë.

DASH shtoi se Blinken pret me padurim rikthimin në punë.

Sekretari ishte në mesin e të ftuarve në një hotel në Uashington të shtunën në mbrëmje për darkën vjetore të Shoqatës së Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Ai nuk pati kontakt personalisht me Xhou Bajden dhe presidenti amerikan nuk rrezikon të ketë marrë virusin prej Blinkenit.