Bota

Suedia dhe Finlanda në NATO, Stoltenberg: Do të ishte historike!

Finlanda dhe Suedia janë dy vende që kanë shprehur ambicien dhe dëshirën për të qenë pjesë e NATO-s. Kjo dëshirë, u shpreh hapur gjatë ditëve të para të luftës në Ukrainë dhe duket se po bëhet më konkrete kohët e fundit. Kjo është përshëndetur edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës, Jens Stoltenberg.

Ai ka thënë se Finlanda dhe Suedia kanë konfirmuar qëndrimin e tyre për anëtarësim, duke shtuar se do të ishte historike nëse të dyja vendet do t’i bashkoheshin aleancës. Stoltenberg theksoi më tej se dera e NATO-s është e hapur për të gjitha vendet që duan të jenë pjesë.

“Për hyrjen në NATO të Finlandës dhe Suedisë, për të cilat Turqia ka shprehur rezerva, kam besim se do të mund të gjejmë gjuhën e përbashkët”, kështu deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në konferencën për median në fund të takimit joformal në Berlin të Ministrave të Jashtëm të NATO-s, duke folur në një lidhje të drejtpërdrjetë.

Ndërkaq “Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqimisht anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës në NATO, nëse ata vendosin të anëtarësohen. Ne do të respektojmë çdo vendim që ata marrin”, tha Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken në Berlin.

Gjatë fjalës së tij ai propozoi menjëherë të ulen menjëherë me palët dhe t’u jepet garanci sigurie përpara procesit të anëtarësimit.