Bota

Suedia i përgjigjet Turqisë, “Nuk financojmë terrorizmin!”

Qeveria suedeze hedh poshtë pretendimet turke se financon terrorizmin. Mbi bazën e kësaj akuze, Ankaraja refuzon që NATO të zgjerohet me Suedinë e Finlandën. Suedia publikoi sot ​​një deklaratë ku përshkruan strategjinë e saj të ndihmës, lidhur me shqetësimet e sigurisë së qeverisë turke. Finlanda dhe Suedia po aplikojnë për t’u bashkuar me NATO-n, duke i dhënë fund qëndrimit të tyre neutral. Kjo pasi pushtimi rus i Ukrainës ndryshoi situatën e sigurisë europiane.

Por, ndërsa për anëtarët e rinj duhet që unanimisht të bien dakord vendet e aleancës mbrojtëse, Ankaraja thotë se “Helsinki dhe Stokholmi duhet të ndalojnë propagandën e financimin e organizatave terroriste, si partia e Punëtorëve të Kurdistanit PKK dhe kurdët sirianë të Partisë Popullore, YPG”.

Forcat turke të sigurisë shpesh përleshen me YPG-të përgjatë kufirit dhe në Siri. Ankaraja beson se grupi është i lidhur me një kryengritje më të gjerë. Nga ana tjetër, Amerika bashkëpunon ngushtë me YPG-në në Siri, duke e konsideruar “një aleat themelor në luftën kundër milicisë ekstremiste të Shtetit Islamik”.

Gjithashtu, Suedia e Finlanda kanë vendosur kufizime për eksportin e armëve Turqisë, pas një ofensive ushtarake turke kundër YPG-së në vitin 2019.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme suedeze theksohet:

Suedia është një donatore e madhe për aktorët humanitarë që i përgjigjen krizës siriane përmes organizatave globale, kryesisht Kombeve të Bashkuara, që veprojnë në rajon, përfshirë Turqinë.

Suedia ka një strategji bashkëpunimi për zhvillimin rajonal për krizën siriane, e cila synon të mbështesë popullin, si dhe refugjatët sirianë e komunitetet e tyre pritëse në vendet fqinje.

Suedia nuk ofron asnjë ndihmë financiare apo mbështetje ushtarake për Administratën Autonome të Sirisë Veriore dhe Lindore (AANES), Këshillin Demokratik Sirian (SDC), Forcat Demokratike Siriane (SDF) apo YPG/YPJ.