Bota

Suedia identifikon tjetër rrjedhje gazi rus nga tubacionet në Baltik!

Garda bregdetare e Suedisë identifikoi rrjedhjen e katërt të gazit në Baltik. Në këtë det kalojnë tubacionet e gazsjellësit Nord Stream, që çon gazin natyror nga Rusia në Gjermani. Tre rrjedhje: dy në zonën e Danimarkës dhe një në të Suedisë janë zbuluar këtë javë në dy tubacione të mëdha ruse të Nord Stream-it.

NATO e Bashkimi Europian thanë se rrjedhjet janë akt “sabotazhi” dhe u zotuan të marrin masa për të mbrojtur infrastrukturën kritike europiane. Asnjë tubacion nuk ishte duke u përdorur në kohën e shpërthimeve të dyshuara, por rezultojnë të mbushura me gazin që po derdhet në Detin Baltik prej 26 shtatorit kur u identifikuan rastet e para.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan planifikon të zhvillojë një bisedë telefonike me homologun rus, Vladimir Putin rreth referendumeve të paligjshme të mbajtura në zonat e pushtuara ukrainase, në datat 23-27 shtator. Erdogan deklaroi se kolegu ukrainas Volodymyr Zelensky i kërkoi mbështetjen e Turqisë “për të bindur Putinin”.

Do të dëshiroja që të mos mbanin referendumet, dhe që ne të mund të zgjidhnim këtë problem përmes rrugëve diplomatike.

Referendumet e zhvilluara në katër rajone të pushtuara nga Rusia në Ukrainën Jugore dhe atë Lindore, nuk njihen ndërkombëtarisht sepse ato u mbajtën në kundërshtim me ligjet ukrainase e ndërkombëtare, si dhe pa standardet minimale demokratike.

Ekspertët perëndimorë besojnë se Putin po tenton të marrë kontrollin e territoreve ukrainase përmes referendumeve, pasi diçka të tillë nuk arriti ta bëjë në fushëbetejë.

Turqia është anëtare e NATO-s dhe ka marrëdhënie të mira me Ukrainën, por gjithashtu është partnere e ngushtë e Rusisë. Biseda telefonike mes Putinit dhe Erdoganit mund të përfshijë edhe planet për të ndërtuar një stacion të ri bërthamor në Sinop, në rajonin turk të Detit të Zi. Centrali i parë bërthamor turk, Akkuyu po ndërtohet në jug të Turqisë. Kompania shtetërore ruse, Rosatom është përfshirë në ndërtimin e tij.