Bota

Suedia për në NATO, zyrtarizohet aplikimi!

Suedia “troket” edhe zyrtarisht në dyert e NATO-s. Stokholmi firmosi sot kërkesën zyrtare për anëtarësim, një ditë pasi bëri të ditur se do të aplikojë në Aleancën 30-anëtarëshe, pjesë e së cilës është edhe Shqipëria. Në Finlandën fqinje, ligjvënësit pritet të marrin të njëjtin vendim, më vonë gjatë ditës. Dy ditë më parë, Helsinki zyrtarizoi kërkesën drejtuar Aleancës për ta pranuar, një vendim i nxitur nga pushtimi rus i Ukrainës, agresion që vijon prej rreth tre muajsh tashmë, duke ndryshuar situatën e sigurisë në Europë.

Ndonëse shumica e vendeve anëtare të NATO-s mirëpret dy shtetet, Turqia mund ta komplikojë këtë proces, pasi shprehet e vendosur të mos i lejojë të bëhen anëtare, me pretendimin se strehojnë militantë kurdë, që Ankaraja i cilëson “terroristë”.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha dje se “rruga e këtyre dy vendeve në NATO, nuk do të jetë e lehtë”. Që një vend të anëtarësohet, duhet miratimi i të 30 anëtarëve. Erdogan akuzon Finlandën dhe Suedinë se refuzuan ekstradimin e “terroristëve” të kërkuar nga shteti i tij.
Ndërkohë, presidenti rus, Vladimir Putin, ka zbutur qëndrimet ndaj planeve të Finlandës dhe Suedisë për t’u anëtarësuar në NATO.

Për aq kohë sa vazhdon zgjerimi, përfshirë anëtaret e reja, Finlandën dhe Suedinë, Rusia nuk ka probleme me këto shtete, asnjë! Nuk ka kërcënim për Rusinë nga zgjerimi që përfshin këto shtete.

Këto komente përbëjnë ndryshim të madh të retorikës së shefit të Kremlinit, pas disa viteve që Putin e ka konsideruar zgjerimin e NATO-s si kërcënim për sigurinë e Rusisë. Madje, përdori mundësinë e zgjerimit si arsye për pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Presidenti i Rusisë hodhi akuza se “në mënyrë agresive, zgjerimi i NATO-s po shfrytëzohet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të përshkallëzuar situatën e vështirë të sigurisë globale”. Ndërhyrjen në Ukrainë, Moska e cilëson “operacion special ushtarak, me qëllim çmilitarizimin e këtij shteti”, pretendim që Kievi dhe Perëndimi e hedhin poshtë si të pabazë.