Bota

Sulm kamikaz pranë ambasadës ruse në Afganistan!

Afganistani tronditet nga një tjetër sulm. Një atentator kamikaz sot hodhi veten në erë jashtë selisë së ambasadës ruse në kryeqytetin Kabul. Mediat afgane transmetuan pamje të autoambulancave duke shkuar drejt vendit të ngjarjes. Agjencia e lajmeve Reuters raportoi se “dy persona u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën pasi një sulmues vetëvrasës shpërtheu eksplozivët që mbante në trup kur u qëllua me armë zjarri nga rojet e selisë diplomatike të Moskës”.

Zyrtari i policisë, Mawlawi Sabir u tha mediave vendase se “sulmuesi u qëllua për vdekje”. Ndërkohë, agjencia ruse e lajmeve, RIA Novosti informon se “një diplomat dhe një roje sigurie mbetën të plagosur në këtë sulm” që ndodhi në kohën kur një radhë e gjatë afganësh po prisnin para ambasadës së Moskës për t’u pajisur me viza për në Rusi. E njëjta agjenci citoi mediat lokale që raportuan se 15 deri në 20 persona u vranë ose u plagosën.

Rusia është një prej shteteve të pakta që vendosi të mbajë të hapur ambasadën e saj në Kabul, që kur talebanët rimorën pushtetin në gusht të vitit të kaluar. Por, komuniteti ndërkombëtar përfshirë Rusinë, nuk njeh autoritetet de facto të Afganistanit. Tre ditë më parë, Afganistani u trondit nga një tjetër sulm që ndodhi në një xhami e mes viktimave ishte edhe një imam me ndikim, i njohur për qëndrime të forta pro qeveritare.

Edhe pse dhuna nuk është në nivelet e viteve të kaluara, nuk mungojnë atentate të përgjakshme që kanë si organizatorë e autorë, militantë të ISIS-it. Në baza ideologjike, këta ekstremistë ndryshojnë ndjeshëm nga talebanët edhe pse janë sunitë si ata. Talebanët morën kontrollin e shtetit pak pasi koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u tërhoq nga Afganistani pas 20 vitesh e në shumë pak kohë, kjo çoi në rrëzimin e qeverisë afgane të mbështetur nga Perëndimi.