Bota

Sulm me armë në ambasadën azere në Iran, një viktimë dhe dy të plagosur!

Ministria e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit njoftoi se është kryer sulm i armatosur ndaj ambasadës azere në kryeqytetin e Iranit, Teheran dhe ku humbi jetën shefi i sigurimit. Në deklaratën zyrtare nga ky dikaster raportohet se rreth orës 08:30 të mëngjesit është kryer sulm i armatosur ndaj ambasadës së Azerbajxhanit në Teheran. Në deklaratë thuhet se sulmuesi, i cili hapi zjarr me automatik kallashnikov, vrau shefin e sigurimit të selisë diplomatike, si dhe plagosi dy roja.

Theksohet se hetimet për sulmin po vazhdojnë dhe publikut do t’i jepet informacion shtesë për detajet.

Komandanti i Policisë së Teheranit, Hossein Rahimi bëri të ditur se u kap agresori, i cili kreu sulmin e armatosur ndaj Ambasadës së Republikës së Azerbajxhanit në Teheran.

Sipas agjencisë së lajmeve Fars, Rahimi ka dhënë informacione për sulmin e armatosur që ndodhi në Teheran sot në mëngjes.

Në person ka kryer sulm të armatosur gjatë hyrjes së stafit të Ambasadës së Azerbajxhanit në ambasadë, duke shkaktuar një të vdekur dhe dy të plagosur.

Po ashtu, Rahimi informoi se “sulmuesi ka hyrë në objekt me dy fëmijë të vegjël”.

Sipas informacioneve të para është konstatuar se sulmin e ka organizuar për shkak të problemeve personale dhe familjare.

Komandanti i Policisë së Teheranit, Hossein Rahimi nuk ka dhënë informacione për identitetin e sulmuesit.

Ndërkohë, presidenti i Azerbajxhanit, İlham Aliyev u shpreh se “sulmi terrorist ndaj misioneve diplomatike është i papranueshëm” dhe kërkoi që sulmi terrorist ndaj ambasadës së vendit të tij në Teheran të hetohet sa më parë.