Bota

Sulm me armë në SHBA, punonjësi i një supermarketi në Virxhinia vret 6 persona! 4 të tjerë mbesin të plagosur !

Një sulm me armë ka ndodhur sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku një punonjës i një supermarketi në shtetin amerikan të Virxhinias ka vrarë gjashtë persona dhe ka plagosur katër të tjerë, sipas njoftimit të policisë.

Oficerët u thirrën në vendngjarje pasi personi i armatosur, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, hapi zjarr ndaj kolegëve. Më vonë ai e ktheu armën kundër vetes dhe vdiq nga një plagë e vetëshkaktuar me armë zjarri.

Ende nuk dihet motivi që e shtyu autorin të ndërmerrte këtë veprim ekstrem. Policia nuk është në kërkim të asnjë personi tjetër në lidhje me sulmin, pasi autori i cili ndërroi jetë është i dyshuari kryesor dhe i vetëm i sulmit.

Thirrja e parë e urgjencës u bë në orën 22:12 me orën lokale të së martës dhe oficerët arritën në supermarket brenda dy minutash.

Ata hynë në ndërtesë pak më vonë dhe vendi i ngjarjes u deklarua i sigurt një orë më vonë pasi ishte pastruar dhe të gjitha viktimat ishin gjetur.

“Përpunimi i skenës së krimit ka të ngjarë të zgjasë disa ditë”, tha shefi i policisë Mark Solesky në një konferencë shtypi të mërkurën, duke shtuar se hetimi po kryhej me ndihmën e FBI-së.
Ai nuk e identifikoi sulmuesin, duke thënë se familja e tyre ende nuk ishte informuar.

Ky sulmi ndodhi vetëm tre ditë  pasi një person hapi zjarr në një klub nate të komunitetit LGBTI në Kolorado, ku si pasojë 4  persona humbën jetën, ndërsa 17 të tjerë mbetën të plagosur.