Bota

Sulm në një xhami në Afganistan, 18 viktima!

Shpërthim i fuqishëm në një xhami në Afganistan, vriten të paktën 18 persona. Mes viktimave është edhe një imam me ndikim, i cili më herët këtë vit bëri thirrje që çdokush që bën “edhe veprimin më të vogël” kundër qeverisë, t’i “hiqet koka”. Kryesisht, dhuna ka pësuar rënie në Afganistan që kur talebanët u kthyen në pushtet vitin e kaluar, por disa shpërthime me bomba nga ISIS, vazhdojnë të godasin.

Ndërkohë, 23 vetë u plagosën në sulmin e përgjakshëm. Shifrat i dha Hameedullah Motawakel, zëdhënës i guvernatorit të provincës Herat, në një mesazh për mediat.

Zëdhënësi i qeverisë, Zabihullah Mujahid konfirmoi se Mujib ur Rahman Ansari, imami i xhamisë humbi jetën e në një mesazh në Twitter shkruan:

Një dijetar i fortë dhe i guximshëm fetar i këtij vendi u martirizua në një sulm brutal.

Ansari ishte me ndikim, i njohur për fjalimet e zjarrta dhe i dyti klerik pro-taleban që vritet në një shpërthim, në më pak se një muaj, pas një sulmi të mëparshëm vetëvrasës që kishte në shënjestër Rahimullah Haqqanin në medresenë e tij në Kabul. Disa xhami anembanë vendit janë shënjestruar këtë vit, disa në sulme të marra përsipër nga Shteti Islamik.

Të paktën 21 persona u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën më 17 gusht kur një shpërthim u regjistrua në një xhami të mbushur me besimtarë në Kabul. Në pjesën më të madhe, ekstremistët shënjestrojnë komunitetet pakicë si shiitët, sufistët e sikët.

Ndërsa ISIS është grup islamik sunit si talebanët, të dy janë rivalë të ashpër dhe ndryshojnë shumë në baza ideologjike. Zyrtarët qeveritarë pretendojnë se ISIS u mposht, por ekspertët thonë se luftëtarët e këtij grupi përbëjnë sfidën kryesore të sigurisë për sundimtarët aktualë islamikë të Afganistanit.

Që nga marrja e pushtetit, pas tërheqjes së forcave të udhëhequra nga NATO në gusht të vitit të kaluar, talebanët nuk kanë arritur të sigurojnë njohje për qeverinë e tyre, ndërsa shumë vende në Perëndim kërkojnë që grupi të respektojë të drejtat e grave dhe pakicave në vend.