Bota

Sulm terrorist në Iran, 15 viktima!

Pesëmbëdhjetë persona u vranë e dhjetëra të tjerë u plagosën në një sulm në mauzoleumin Shah Cheragh në qytetin iranian Shiraz. Sipas raportimeve të agjencisë shtetërore të lajmeve Irna, tre persona të armatosur hapën zjarr ndaj pelegrinëve dhe personelit, në hyrje të objektit të kultit të myslimanëve shiitë. Policia arrestoi dy persona, ndërsa Shteti Islamik mori përgjegjësinë për sulmin.

Media shtetërore raportoi se “përgjegjës ishin terroristët takfirë”, një term i përdorur nga Teherani zyrtar për të përshkruar militantët myslimanë sunitë, të tillë si anëtarët e ISIS-it.

Republika Islamike e Iranit njoftoi se dy fëmijë dhe një grua ishin në mesin e të vrarëve. Ndërkohë, presidenti iranian, Ebrahim Raisi, u zotua për përgjigje të shpejtë e të vendosur ndaj sulmit. Raisi deklaroi:

Ky krim nuk do të kalojë pa u ndëshkuar dhe forcat e sigurisë do t’iu përgjigjen atyre që kanë planifikuar e kryer sulmin.

Në mauzoleumin e shënjestruar nga terroristët gjenden varret e dy prej shtatë djemve të imamit shiit, Musa al-Kadhim e po ashtu të djemve të imamit Ali a-Rida.

Stephane Dujarric, zëdhënës i sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, deklaroi se sulmet që në shënjestër kanë ndërtesat fetare “janë veçanërisht të tmerrshme”.

Në prill, dy klerikë shiitë u vranë në një sulm me thikë në një tempull po shiit në qytetin Mashhad, në verilindje të Iranit. Personi përgjegjës, i cili sipas zyrtarëve ishte një burrë me prejardhje uzbeke nga Afganistani e me pikëpamje radikale sunite, u dënua me varje në muajin qershor.

Motivi i sulmit nuk u bë publik, por Ministria e Brendshme pati deklaruar se atentati ishte “terrorist” dhe për të, fajësoi “takfirët”. Vite më parë, ISIS ka kryer sulme të mëdha në Iran. Më 2017-ën, ky grup militant ishte përgjegjës për dy atentate vdekjeprurëse me bombë që shënjestruan ndërtesën e Parlamentit dhe varrin e themeluesit të Republikës Islamike, Ajatollah Khomeini.