Bota

Sulmet izraelite në Gaza, rëndohet bilanci!

Rëndohet bilanci i sulmeve të fundit izraelite në Gaza. Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Shëndetësisë së Palestinës, thuhet se humbën jetën 32 persona, mes tyre gjashtë fëmijë e katër gra. Po ashtu, jepet informacioni se numri i të plagosurve është rritur në 253, por nuk ndahen detaje lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore.

Bilanci i referohet dy ditëve të fundit, nga 5 gushti, teksa Gaza është nën bllokadë. Katër prej të miturve, ndërruan jetë si pasojë e një shpërthimi në rajonin Jabalia, në Rripin e Gazës.

Nga llogaria e tij në median sociale, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee ndau pamjet e një rakete, për të cilën pretendon se është hedhur nga Xhihadi Islamik dhe ra në një pikë brenda kufijve të Gazës. Ai mbron idenë se pamjet në fjalë u regjistruan në rajonin Jabalia. Ushtria izraelite raporton edhe se ka filluar një hetim lidhur me ngjarjet e shënuara në Jabalia e se në rajon nuk ka zhvilluar ndonjë operacion.

Ndërkohë, nga grupet palestineze nuk është bërë ende ndonjë deklaratë lidhur me ngjarjen. Më 5 gusht, ushtria e shtetit hebraik filloi sulmin e saj kundër objektivave të Lëvizjes së Xhihadit Islamik në Rripin e Gazës, nën bllokadë. Izraeli vrau liderin e dytë të grupit Xhihadi Islamik Palestinez, ndërsa vijon të rritet numri i viktimave nga sulmet ajrore në Gaza. Khaled Mansour gjeti vdekjen nga bombardimet ajrore në shtëpinë e tij në Rafah, në jug të Gazës. Në të kaluarën, Mansour, njeri me ndikim në grup, u mbijetoi 5 përpjekjeve të ushtrisë izraelite për ta vrarë. Ai akuzohej për përgatitje të operacioneve ushtarake jashtë Gazës.

Mansour e lideri tjetër, Tayseer Jabari, janë në mesin e 32 palestinezëve që raportohen të vdekur. Rreth 400 raketa palestineze e predha janë lëshuar në Izrael prej të premtes. Dhuna e orëve të fundit, përbën përshkallëzimin më serioz mes Izraelit e Gazës për këtë vit. Në maj 2021, një luftë 11-ditore la të vdekur më shumë se 200 palestinezë e disa izraelitë. Më pas, palët ranë dakord për armëpushim. Ushtria izraelite paralajmëroi se ky operacion mund të zgjasë një javë.