Aktualitet Politikë

Sulmet kibernetike, Meta: Prokuroria të hetojë përgjegjësinë e institucioneve!

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i kërkon Prokurorisë të hetojë përgjegjësinë e të gjitha institucioneve “që kanë lejuar një sulm të vazhdueshëm hakerimi për 15 muaj”. Në një konferencë për mediat, Meta u shpreh se “kryehakerues i këtij sistemi është Edi Rama, sepse kjo u provua botërisht nga dalja e të dhënave personale të 1 milion qytetarëve përpara zgjedhjeve dhe përdorimi i tyre nga patronazhistët vetëm për qëllime të shantazhit elektoral”.

Ishte Edi Rama i cili publikisht mbështeti, por njëkohësisht edhe shtetërisht përmes kapjes së sistemit të drejtësisë, të gjithë këtë proces kriminal të cilin e shfrytëzoi vetë për të përmbysur vullnetin e popullit shqiptar në zgjedhjet e 25 prillit.

Në dhjetor u hakeruan rrogat e administratës dhe bizneseve. Po në dhjetor dolën numrat e celularëve dhe targat e makinave. Më pas u hakerua e-Albania e më pas u nxorën nga hakeruesit të dhëna në shitje.

U godit TIMS-i, një sistem perfekt dhe i mbrojtur prej kohësh. U godit edhe ALEAT-i. Një tjetër çudi, u godit sistemi i Policisë së Shtetit sa i takon gjobave. Eshtë bllokuar sistemi i menaxhimit të çështjeve gjyqësore dhe nuk lëshohen vërtetimet gjyqësore.

Eshtë goditur sistemi ADAM e MEMEX, që përbën trurin e policisë dhe bazën e luftës kundër krimit.

Njëkohësisht,  ju ftoj të kujtoni se Edi Rama duke e ditur këtë situatë më 6 maj 2022, kërkoi t’iu impononte bankave kryerjen e shërbimeve nëpërmjet  e-Albania, por që fatmirësisht u refuzua prerë nga Banka e Shqipërisë dhe banka të tjera. Kjo kërkesë e çuditshme e Edi Ramës vinte me vetëdije pas një sërë sulmesh që hakerat kishin nisur më parë në të gjithë sistemin.

Ne kërkojmë të bëhet transparencë se çfarë ka ndodhur saktësisht. Të bëhet një vlerësim i situatës së sigurisë kombëtare. Prokuroria të bëjë një hetim për evidentimin e përgjegjësisë së qeverisë dhe çdo institucioni në lidhje me menaxhimin e të dhënave të qytetarëve.

Cënimi i Sigurisë Kombëtare ka ndodhur në vazhdimësi dhe Edi Rama vijon të gënjejë në lidhje me pasojat e këtij sulmi ndaj qytetarëve shqiptarë, bizneseve e partnerëve të huaj.