Aktualitet

Sulmet kibernetike, ministrja Spiropali: Disponojmë analizë të plotë!

Në Komisionin e Ligjeve, sot ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet e Parlamentit, Elisa Spiropali iu përgjigj pyetjeve të deputetëve të opozitës mbi sulmet kibernetike nga iranianët kundër shërbimeve publike të shtetit shqiptar. Spiropali u shpreh se sistemet shqiptare “nuk kanë pësuar dëme të parikuperueshme”. Sipas saj, “Shqipëria ka hartuar dhe dorëzuar një raport të detajuar mbi sulmet kibernetike në Komisionin Europian, NATO e në Departamentin Amerikan të Shtetit”.

Unë do të doja të bëja një referencë për atë që tha Alibeaj. Ai pyeti nëse ne kemi të dhëna për masën e dëmit të pësuar. Menjëherë pas sulmeve të 15 korrikut, grupi i ngritur për të neutralizuar sulmin, ka dalë me një raport që është i imtësishëm. Nuk është ashtu siç disa nga kolegët tuaj thanë në Parlament, të cilët u shprehën se një grup fëmijësh gjunjëzojnë qeverinë shqiptare.

Ja që dolën se nuk janë fëmijë, por një shtet armiqësor. Eshtë një sulm i sponsorizuar dhe i mbështetur nga një shtet armiqësor. Për këtë sulm kanë reaguar Departamenti i Shtetit, Shtëpia e Bardhë, NATO dhe çdo aleat tjetër. Eshtë masiv, i rëndë. A janë dëmtuar në mënyrë të parikuperueshme të dhënat? Jo!

Ministrja Spiropali shtoi se u arrit të parandalohet një dëm që mund të shkatërronte të gjithë zinxhirin e shërbimeve shtetërore.

Ne disponojmë një analizë të plotë, të cilën e kemi dorëzuar në formën e një raporti në Komisionin Europian, në NATO, në Departamentin Amerikan të Shtetit e në momentin që do vijë dhe për buxhetim në Parlamentin shqiptar, se këto janë projekte madhore, do të vijë në Kuvendin e Shqipërisë, duhet ta diskutojmë dhe patjetër ta miratojmë këtë mbështetje për këto sisteme. Të gjithë partnerët tanë kanë vlerësuar reagimin e Shqipërisë, kanë vlerësuar aftësitë e reagimit të shtetit shqiptar.

Për këtë çështje reagoi sot edhe Ilir Meta. Sipas kryetarit të Partisë së Lirisë, prokuroria duhet të hetojë mbi përgjegjësinë e institucioneve.