Aktualitet

Sulmet kibernetike të Iranit, arrestime në DAP/Pesë IT nuk azhornuan antiviruset!

Arrestime për sulmet kibernetike iraniane të muajve korrik e shtator. Pesë punonjës IT të Departamentit të Administratës Publike nuk azhornuan antiviruset. Për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, Prokuroria e Tiranës kërkoi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për Rudina Llagamin, Albi Gjekën, Altin Sallakun, Alketa Sulon dhe Igli Lubonjën.

Sipas organit të akuzës, ata nuk vepruan në përputhje me Rregulloren e Sigurisë së Informacionit dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it. Nëse kërkonin informacion e azhornoheshin me antiviruset më të fundit të sistemit, në sistemet e tyre do të zbulohej virusi që fillimisht hyri te administrata.al. Në këtë mënyrë mund të bëhej neutralizimi i tij, pa prekur sistemin e AKSHI-t.

Njoftimi i Prokurorisë:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë kërkon masën e sigurisë “Arrest shtëpie” për pesë punonjës IT pranë Departamentit të Administratës Publike (DAP). Kërkesa bëhet për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i K.Penal për sulmin kibernetik ndaj institucionit shtetëror të AKSHI-t që përmbledh gjithë faqet zyrtare qeveritare në Republikën e Shqipërisë.

Punonjësit në fjalë janë angazhuar në pozicionin IT pranë DAP gjatë të njëjtës kohë kur është implementuar dhe mirëmbajtur sistemi administratë.al.

Në rastin konkret, stafi IT pranë DAP mund dhe duhej të kërkonte raportim nga ana e operatorit ekonomik të kontraktuar prej DAP për implementimin dhe mirëmbajtjen e sistemit në kohë lidhur me gjendjen në të cilën ndodhej ky sistem, pavarësisht mungesës së dijenisë për mënyrën e zbatimit të kontratës për implementimin e sistemit administrata.al.

Në rast se këta punonjës, do të kishin vepruar në përputhje me urdhërimet e Rregullores së Sigurisë së Informacionit nr. 337/1 prot., datë 17.01.2022, dhe Rregullores së Brendshme të AKSHI-it duke kërkuar informacion dhe duke u azhornuar me antiviruset më të fundit të sistemit, atëherë do ishte zbuluar në sistemet e tyre virusi i cili ka hyrë fillimisht tek administrata.al në mënyrë që të bëhej e mundur neutralizimi i tij pa prekur sistemin e AKSHI-t.

Këta persona me mosveprimet e tyre kanë sjellë pasoja të rënda dhe kanë konsumuar elementet e figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga neni 248 i K.Penal. Prokuroria do vazhdojë hetimet për identifikim e plotë të çdo aktori apo subjekti të përfshirë në këtë veprimtari duke vënë para përgjegjësisë penale.