Bota

Sulmet kundër naftës saudite rrisin çmimet në tregje!

Sulmet me raketa të rebelëve Houthi në Arabinë Saudite çojnë në rritjen e çmimeve të naftës bruto, me më shumë se një për qind, në mbi 120 dollarë për fuçi. Goditjet shënjestruan një objekt të shpërndarjes së naftës, në pronësi të kompanisë “Aramco” në Jeddah.

Nafta e papërpunuar Brent u rrit me 1,62 dollarë ose 1,4 për qind, në 120,65 dollarë për fuçi dhe nafta e papërpunuar e Teksasit Perëndimor (WTI) përfundoi me 1,56 dollarë ose 1,4 për qind më e lartë, në 113,90 dollarë. Para sulmit, çmimi i të dyjave kishte rënë me tre dollarë. Të dy standardet shënuan fitimet e tyre të para javore në tre javë: Brent u rrit më shumë se 11.5% dhe WTI fitoi 8.8%.

Rebelët Houthi të Jemenit thanë se dje “filluan sulmet ndaj objekteve saudite”, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite konfirmoi se “stacioni i shpërndarjes së karburantit të kompanisë “Aramco” në Jeddah ishte shënjestruar nga një sulm”. Arabia Saudite bëri të ditur se nuk do të mbajë përgjegjësi për ndonjë mungesë furnizimi me naftë në tregjet globale të shkaktuar nga sulmet e rebelëve në objektet e saj të naftës.

Rebelët lëshuan ​​raketa në objektet e “Aramco”-s në Jeddah dhe dronë në rafineritë “Ras Tanura” e “Rabigh”, siç saktësoi një zëdhënës ushtarak i grupit. Kryeministri Rama e cilësoi “krim të neveritshëm që synon të ndikojë më tej në sigurinë globale të energjisë në një kohë të trazuar”. “Shqipëria qëndron në krah të Arabisë Saudite dhe u bën thirrje të gjithë anëtarëve të OKB-së të dënojnë me vendosmëri organizatën terroriste që qëndron pas sulmeve të tilla!”, – tha Rama.

Me stoqet globale në nivelin më të ulët që nga viti 2014, analistët thonë se “tregu mbetet i prekshëm ndaj çdo goditjeje të ofertës”. Edhe pak ditë më parë, çmimet e naftës ranë pasi eksportet nga naftësjellësi CPC i Kazakistanit rifilluan pjesërisht dhe Bashkimi Europian ndaloi vendosjen e një embargoje ndaj naftës e gazit rus, për shkak se anëtarët e Unionit mbetën të ndarë për këtë çështje.