Bota

Sulmet me raketa ruse në lindje të Ukrainës, të paktën 15 viktima!

Të paktën 15 persona u vranë dhe më shumë se 20 të tjerë dyshohet se janë bllokuar në rrënoja, në rajonin lindor të Ukrainës, Donjeck. Raketat ruse “Uragan” goditën një bllok pallatesh pesëkatëshe, duke i shembur në Chasiv Yar. Andriy Yermak, shef i shtabit të presidentit të Ukrainës, foli për “sulm terrorist, të sponsorizuar nga Moska”.

Sulme të shumta me raketa u raportuan edhe në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv jo shumë larg kufirit rus. Raketat e lëshuara në orët e para të ditës së sotme, goditën një shkollë, një shtëpi private dhe një sanatorium për fëmijë, duke shkatërruar pjesërisht ndërtesat. Po ashtu, zyrtarët ukrainas raportuan se “forcat ruse sulmuan sot zonat pranë qytetit lindor të Sllovianskut, por u detyruan të tërhiqen”. Serhiy Hayday, guvernatori i rajonit lindor të Luganskut deklaroi se “trupat pushtuese po grumbullohen në fshatin Bilohorivka”, rreth 50 kilometra në lindje të Sllovianskut.

Ndërkohë, në një tjetër zhvillim, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shkarkoi ambasadorët e Kievit në Gjermani, Hungari, Norvegji, Republikën Çeke e Indi. Të njëjtin fat patën edhe të dërguarit në Maldive, Nepal, Sri Lanka e Bangladesh. Dekretet nuk tregojnë nëse të larguarve do t’u ofrohen ose jo të tjera detyra nga qeveria ukrainase.

Në mesin e të shkarkuarve është edhe ambasadori i përfolur i Ukrainës në Gjermani, Andriy Melnyk. Në fillim të javës, gazetat gjermane Bild dhe Sueddeutsche Zeitung raportuan se “Melnyk do të largohej nga Berlini e do të merrte një tjetër post në Ministrinë e Jashtme në Kiev”. Diplomati ka qenë i zëshëm në apelet e tij për më shumë ndihmë nga Berlini, veçanërisht në formën e eksportit të armëve nga Gjermania.

Disa orë më vonë, në një video-mesazh, Zelensky u shpreh se “rotacioni është një pjesë normale e praktikës diplomatike”.

Përfaqësues të rinj të Ukrainës do të emërohen në Republikën Çeke, Gjermani, Hungari, Norvegji e Indi. Emrat po përgatiten nga Ministria e Punëve të Jashtme.