Bota

Sulmet ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë, Lavrov: Janë të justifikuara në një kohë kur SHBA dhe NATO furnizojnë me armë Kievin!

Rusia ka deklaruar se sulmet ndaj infrastrukturës civile në Ukrainë janë të justifikuara në një kohë kur SHBA dhe NATO furnizojnë me armë Kievin dhe stërvisin trupat e tij.

Ministri i Jashtëm Sergey Lavrov i bëri komentet në një përgjigje ndaj pyetjes së agjencisë së lajmeve “Associated Press”.

“Ne po shkatërrojmë infrastrukturën energjetike pasi ajo i lejon Perëndimit të furnizojë Ukrainën me armatime për të vrarë rusët. Ndaj mos thoni se Shtetet e Bashkuara dhe NATO nuk janë të përfshira në këtë luftë. Ato janë të përfshira në mënyrë direkte, jo vetëm duke dhënë armë, por edhe duke stërvitur personelin ushtarak”, u shpreh ministri i Jashtëm rus.

Të mërkurën NATO u zotua për të furnizuar më tej Ukrainën me armë të teknologjisë së lartë, përfshirë sisteme të mbrojtjes ajrore. Armatimet e Perëndimit kanë bërë që kahu i luftës në muajt e fundit të ndryshojë.

Nga ana e saj, Rusia ka intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike dhe asaj të ujit të pijshëm, pasi trupat ukrainase rimorën nën kontroll qytetin e Khersonit muajin e kaluar. Sulmet, që u kanë marrë jetën shumë civilëve, janë dënuar nga komuniteti ndërkombëtar.