Rajoni

Sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri, priten rezultate të shpejta nga hetimet!

Në veri të Kosovës, sulmet e vazhdueshme mbi pjesëtarët e policisë kanë shqetësuar autoritetet e Prishtinës. Ata thonë se “synojnë të krijojnë tensionim të qëllimshëm të situatës së sigurisë”. Nga data 13 prill e deri tani janë sulmuar gjashtë herë. Persona të paidentifikuar kanë qëlluar kundër automjeteve të policisë me armë automatike, AK 47, granata dore, po ashtu janë vendosur pengesa metalike në rrugë dhe të tjera mjete të forta. Nuk pati të lënduar, por vetëm dëme materiale.

Hetime intensive

Gjatë një raportimi para komisionit të sigurisë në Kuvendin e Kosovës, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se “autoritetet po punojnë intensivisht në hetimin e sulmeve të fundit ndaj Policisë, në komunat veriore, me shumicë serbe”.

Në javët e fundit, 6 sulmet ndaj policisë kanë krijuar ndjenjë të pasigurisë te qytetarët në veri. Mbi të gjitha, këto sulme kanë prapavijë tjetër, me synimin për të shkaktuar panik e pasiguri te qytetarët, si dhe për të destabilizuar situatën në vendin tonë. Brenda një afati shumë të shpejtë do të kemi rezultatet e duhura në këtë fushë.

Reagon Lista Serbe

Sipas subjektit politik serb më të madh në Kosovë, që në Kuvend numëron 10 deputetë, “një incident i tillë ka për qellim t’i paraqesë serbët si provokatorë, çka nuk përputhet me të vërtetën”.

Pas sulmeve, në Prishtinë dhe Beograd, pati një retorikë  të ashpër çka bëri që të reagojë Bashkimi Europian. Unioni kërkoi “të shmangen spekulimet e panevojshme që mund të shtojnë tensione”.

Por, si i shohin sulmet njohësit e çështjeve të sigurisë? Për DW, ish-kreu i Policisë së Kosovës, drejtues në vitet 2018-2020, Rashit Qalaj, aktualisht deputet, mendon se “sulmet janë kryer nga individë me “bagazh kriminal”, që veprojnë brenda territorit të Kosovës”.

Ata janë nga Kosova, por shfrytëzojnë territorin e Serbisë, pra sulmojnë policët e Kosovës nga Serbia. Edhe në të kaluarën është treguar se grupet kriminale që veprojnë në veri të Kosovës nuk veprojnë të vetëm! Më së shumti, ato i përdor Serbia, si elemente kriminale për të bërë ndonjë destabilizim të mundshëm në Kosovë.

Në shkurt të këtij viti, policia e Kosovës nisi të mbyllë disa rrugë malore në afërsi të kufirit me Serbinë, që të mos shfrytëzohen për kontrabandë. Në disa prej tyre, KFOR-i në bashkëpunim me policinë e Kosovës punuan dhe hoqën pengesat e vëna duke i liruar për banorët lokalë. Zyrtarë të KFOR-it thanë se ky mision “mbështet përpjekjet e institucioneve në Kosovë për të forcuar sundimin e ligjit dhe frenuar aktivitetet kriminale”.