Bota

Sulmet ruse në Ukrainë, të gjithë termocentralet bërthamorë duhen kontrolluar!

Termocentralet bërthamore të Ukrainës janë të gjitha për t’u inspektuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë, thotë Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA), ndërsa shqetësimet rriten për aksidentet mes sulmeve të përsëritura ajrore ruse që synojnë infrastrukturën energjetike të vendit.

Drejtori i IAEA-së, Rafael Grossi tha se stafi i agjencisë së tij do të vizitojë objektet ukrainase në Khmelnytskyi dhe Rivne, si dhe në objektin e braktisur të Çernobilit.

Po bëhen përgatitjet dhe së shpejti do të shkojnë inspektorët.

Frika për sigurinë bërthamore ka qenë në rritje pasi sulmet e fundit ruse shënjestruan linjat e energjisë dhe gjeneratorët. Inspektorët ka të ngjarë të fokusohen në sistemet teknike dhe planet e emergjencës në objekte. Inspektorët janë tashmë në Zaporizhia, e cila është në një zonë nën kontrollin rus.

Pas sulmeve ajrore ruse që goditën Ukrainën, në shumicën e qyteteve u rikthye energjia elektrike, përveçse në kryeqytet. Kievi mbetet ende me furnizim të kufizuar. Kryebashkiaku Vitali Klitschko informoi se 60% e qytetit ende nuk ka energji. Ai shtoi se prioritet mbeten furnizimi me ujë e transporti publik.

Me ftesë të Gjermanisë, vendet e G7-ës mblidhen javën e ardhshme në kryeqytetin rumun Bukuresht. Në fokus, mbështetja për furnizim me energji elektrike për Ukrainën. Sulmet ajrore ruse në infrastrukturën ukrainase, kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, i quajti “krim të patolerueshëm e çnjerëzor”.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, sot u zotua se Aleanca Veri-Atlantike do të ndihmojë Ukrainën të mbrohet në luftën kundër Rusisë për aq kohë sa të ketë nevojë. Gjithashtu, tha se NATO do të ndihmojë vendin e shkatërruar nga lufta t’i transformojë forcat e armatosura në një ushtri moderne, sipas standardeve perëndimore.