Aktualitet

Sulmet terroriste të 11 shtatorit, presidenti Begaj: Siguria të mbetet prioritet!

Tirana zyrtare rikonfirmon qëndrimin për të përmbushur çdo angazhim kundër terrorizmit. Në mesazhin në 21-vjetorin e sulmeve të 11 shtatorit, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj thekson se sulmet e fundit kibernetike, tregojnë që siguria duhet të mbetet prioriteti ynë kryesor. “Të fokusohemi tek ngritja e zhvillimi i kapaciteteve tona, ndërsa forcojmë lidhjet me partnerët e aleatët tanë, për të mbrojtur sigurinë e vendeve e qytetarëve”, – nënvizon kreu i shtetit.

Sot kujtojmë me dhimbje dhe respekt të gjithë ata që humbën dhe sakrifikuan jetën në sulmet terroriste të 11 shtatorit kundër SHBA dhe demokracisë, sulme të cilat e ndryshuan botën dhe perceptimin për sigurinë, përgjithmonë.

Sulmet kibernetike të kohëve të fundit në infrastrukturën tonë virtuale sjellin në vëmendje që siguria duhet të mbetet prioriteti ynë kryesor.

Ne duhet të fokusohemi tek ngritja dhe zhvillimi i kapaciteteve tona, ndërkohë që forcojmë lidhjet me partnerët e aleatët tanë, për të mbrojtur sigurinë e vendeve dhe qytetarëve.

Fuqizimi, bashkëpunimi dhe efektiviteti i institucioneve për të reaguar shpejt dhe në kohë, përbëjnë çelsin e suksesit, për të ruajtur të pacënuar sigurinë kombëtare.

Në Ambasadën Amerikane në Tiranë, sot u mbajt një minutë heshtje në nderim të rreth 3 mijë viktimave të sulmeve të Al Kaedës më 11 shtator 2001 në Shtetet e Bashkuara e që 21 vite më parë tronditën botën. I Ngarkuari me Punë, Demian Smith u tha pjesëmarrësve se “sado kohë të kalojë, kurrë nuk do t’i harrojnë viktimat dhe heronjtë e 11 shtatorit”.

Themeluesi i Al-Kaedës, Osama bin Laden, gjendej në Afganistan në kohën e sulmeve të 11 shtatorit, nën mbrojtjen e talebanëve. Kur refuzuan dorëzimin e tij, Shtetet e Bashkuara e forcat aleate pushtuan Afganistanin, duke u zotuar se do të mbështesnin demokracinë e do të eliminonin kërcënimin terrorist.

Ato u larguan vitin e kaluar, pas 20 viteve prani në territorin afgan. Talebanët u rikthyen në pushtet në gusht 2021. Ngjarjet e 11 shtatorit 2001 u përkujtuan sot edhe në Kosovë, ku drejtuesit më të lartë të shtetit kryen homazhe në Prishtinë.