Bota

Sulmi kibernetik në Australi, një haker kërkon ndjesë/Sulm kibernetik edhe në Meksikë!

Australia kërkoi ndihmën e FBI-së për kapjen e hakerave përgjegjës për një ndër sulmet më të mëdha kibernetike në këtë vend. Ata vodhën të dhëna personale, përfshirë adresa të shtëpive, numrat e lejeve të drejtimit të automjeteve e të pasaportave të mbi 10 milion klientëve të kompanisë së telekomunikacionit Optus.

Pasi në Australi u vodhën të dhënat masive të klientëve, kompanisë Optus iu kërkua nga hakerat që të paguajë. Por, në vazhdim pati edhe një zhvillim të papritur. Në një platformë në internet erdhi ndjesa publike nga një llogari që hetuesit besojnë se i përket njërit prej hakerave të dyshuar, i cili mund të jetë shqetësuar nga vëmendja që mori ky rast.

Edhe Meksika ra pre e një sulmi kibernetik, duke iu grabitur të dhëna ushtarake. Hakerat publikuan edhe dokumente sekrete nga Ministria e Mbrojtjes. Presidenti Andrés Manuel López Obrador, deklaroi:

Kishim një sulm kibernetik, por asnjë informacion i konsideruar tepër sekret nuk u vodh.

Pas një vlerësimi fillestar, portali “Latinus” raportoi:

Ndër të tjera, 6 TB të grabitura nga të dhënat, kanë të bëjnë me gjendjen shëndetësore të kreut të shtetit e çështjet e sigurisë. Janë vjedhur qindra mijëra e-maile dhe dokumente. Sulmi u krye nga grupi i hakerave “Guacamaya” dhe ishte më i madhi kibernetik në Meksikë. Dokumentet e hakeruara datojnë nga 2016-ta e deri në shtator të këtij viti.

Një dokument nga forcat e armatosura ka të bëjë me shtrimin në një spital të panjohur më parë të presidentit, për shkak të problemeve në zemër.

Në fillim të vitit, me një avion mjekësor ushtarak, López Obrador u dërgua nga shtëpia e tij e pushimit në jug të vendit, për në kryeqytet.

Presidenti 68-vjeçar pohoi raportimet:

Gjithçka që raportoi portali i lajmeve është e vërtetë!

Dokumentet e tjera u referohen detajeve të një operacioni ushtarak të dështuar për të arrestuar një djalë të baronit të drogës, Joaquín “El Chapo” Guzmán, në vitin 2019. López Obrador i përshkroi zbulimet si joproblematike dhe pretendoi se qeveria e tij nuk ka gjë për të fshehur.

Nëse nuk jeni fajtorë, nuk keni asgjë për t’u frikësuar!

Grupi i hakerave ka kryer sulme të ngjashme në të tjera vende të Amerikës Latine. Kryesisht, synon informacione ushtarake dhe të sigurisë.