Aktualitet

Sulmi kibernetik shtyn dorëzimin e bilanceve tregtare/Dy shërbime policore ende jo online!

Shërbimet që ofrohen përmes portalit e-Albania nga Gjendja Civile lëvrohen online. Këtë e njofton Ministria e Brendshme. Por, ende nuk është rikthyer normaliteti për të gjitha ato të Policisë së Shtetit. Vërtetimi për pajisje me pasaportë dhe deklarimi për humbje dokumenti do të ofrohen në kopje fizike në sportelet policore, deri në normalizimin e plotë të situatës.

Me rikthimin e shërbimeve online përmes portalit e-Albania, të gjitha shërbimet që ofrohen nga Gjendja Civile lëvrohen online. Ende nuk është rikthyer normaliteti për të gjitha shërbimet që ofron Policia e Shtetit. Dy shërbimet: vërtetimi për pajisje me pasaportë; deklarimi për humbje dokumenti, do të ofrohen në kopje fizike në sportelet e Policisë së Shtetit deri në normalizimin e plotë të situatës.

Duke u nisur nga situata e krijuar ditët e fundit për arsye të mosfunksionimit të portalit qeveritar e-Albania, Ministria e Financave dhe Ekonomisë njoftoi sot se Qendra Kombëtare e Biznesit do të zbatojë parashikimet e Kodit të Procedurave Administrative lidhur me afatin për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar.

Bazuar në nenin 54 të Kodit të Procedurave Administrative, afati për depozitimin e pasqyrave financiare në regjistrin tregtar do të shtyhet për aq ditë sa nuk ka funksionuar portali qeveritar e-Albania.

Subjektet që nuk kanë aplikuar akoma për depozitimin e pasqyrave financiare do të rivendosen për depozitimin e tyre brenda periudhës së shtyrjes së afatit fillestar.

31 korriku është afati i fundit të dorëzimit të bilanceve të vitit 2021.