Rajoni

Sulmi ndaj autobusit në Deçan me 3 viktima, 20 mijë euro për informacione lidhur me autorin apo autorët!

Qeveria e Kosovës ofron 20 mijë euro shpërblim për personin që jep informacione të sakta lidhur me autorin apo autorët e vrasjes së trefishtë në Deçan, dy netë më parë. Motivet mbeten të paqarta e nuk dihet se kush qëndron pas sulmit me armë zjarri ndaj një autobusi, në afërsi të fshatit Gllogjan të komunës së Deçanit. Në drejtim të automjetit që udhëtonte nga Gjakova për në Deçan u qëllua me breshëri dhe mbeti i vrarë shoferi e dy nxënës të moshave 17 e 18-vjeç.

Njoftimi i plotë i Qeverisë:

Lidhur me rastin e vrasjes së trefishtë të premten mbrëma në Gllogjan, Policia e Kosovës me të gjitha njësitet e saj relevante është angazhuar në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të këtij rasti. Policia është duke punuar në mbledhjen dhe analizimin e të gjitha fakteve dhe dëshmive relevante për të zbardhur sa më parë këtë rast dhe për të sjellë para drejtësisë sa më parë që të jetë e mundur kryerësin/it e kësaj vepre kriminale.

Megjithatë, për identifikimin sa më të shpejtë ​të kryerësit/ësve të këtij akti kriminal, Qeveria, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia kërkojnë ndihmën e qytetarëve dhe kujtdo që mund të ketë informacione të rëndësishme për zbardhjen e rastit.

Si Kryeministër, bashkë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Policinë e Kosovës apelojmë te qytetarët që mund të kenë ndonjë njohuri rreth rastit ta ndihmojnë policinë me informacione për gjetjen e autorit/ve të këtij akti dhe për këtë ofrojmë një shpërblim prej 20.000 euro (njëzet mijë euro), për cilindo qytetar i cili mund të jep informacione të cilat shpiejnë në zbardhjen ose zbulimin e këtij rasti.

Qytetarët të cilët kanë informacione lidhur me këtë rast mund t’i dërgojnë ato në këto numra telefoni dhe e-mail adresën e poshtëshënuar: Tel:-080019999 ose -192 dhe e-mail: [email protected]. Thirrjet në këta numra të telefonit janë pa pagesë për të gjithë qytetarët dhe policia do ta ruajë strikt të drejtën e anonimitetit apo fshehtësisë së identitetit, përveçse nëse personat vetë, pra vullnetarisht, deklarohen ndryshe.