Bota

Sulmi në lokalin gay në Oslo, anulohet Parada e Krenarisë në kryeqytetin norvegjez!

Po hetohet si akt terrorist, sulmi i orëve të para të mëngjesit të sotëm, që shënjestroi edhe një lokal të frekuentuar nga pjesëtarë të komunitetit LGBT+ në qendër të kryeqytetit të Norvegjisë, Oslo. Dy persona u vranë dhe 21 të tjerë u plagosën, disa në gjendje kritike shëndetësore, kur agresori hapi zjarr me armë. Më pas, u arrestua menjëherë e raportohet se është emër i njohur për shërbimet e sigurisë në vendin nordik. Një dëshmitare tregoi:

Dukej një skenë lufte, me shumë njerëz të shtrirë në tokë e me plagë në kokë. Vrasësi ishte tepër i vendosur dhe i përqendruar, sidomos për pjesën ku duhej të shënjestronte. Kur e kuptova se ishte diçka serioze, arrita të largohesha. Një burrë qëndronte i shtrirë në tokë, mes një pellgu gjaku.

Të dyshuarit iu sekuestruan dy armë zjarri, ndërsa të shtënat u regjistruan rreth orës 01:00 pas mesnate, në një zonë ku ndodhen klubi gay London Pub, ai i xhazit Herr Nilsen, si dhe një dyqan ushqimor.

Kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Stoere, dënoi sulmin duke e quajtur “të tmerrshëm e shokues ndaj personave të pafajshëm”. Ndërkohë, u anulua parada vjetore e Krenarisë, që ishte planifikuar të mbahej paraditen e sotme në Oslo. Organizatorët ndoqën këshillën e policisë norvegjeze, që për arsye sigurie rekomandoi moszhvillimin e saj, sipas parashikimeve.