Bota

Sulmohet me dron kryeministri i Irakut, shpëton pa lëndime!

Atentat me dron shpërthyes kundër kryeministrit të Irakut, Mustafa Al-Kadhimi, shpëton pa lëndime. Shefi i qeverisë irakene u shënjestrua ndërsa gjendej në rezidencën private, në Zonën e Gjelbër të Bagdadit.

Lajmin e konfirmuan burime të sigurisë. Sulmi ndodhi në kohën kur qindra protestues pro-iranianë po protestonin kundër rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 10 tetorit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan sulmin kundër kryeministrit të Irakut, të cilin e quajtën “akt terrorist”.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price:

Jemi të lehtësuar që Al-Kadhimi shpëtoi pa lëndime. Ky akt i dukshëm terrorist, të cilin e dënojmë me forcë, u drejtua për nga zemra e shtetit iraken!

Për Iranin, pas sulmit kundër kryeministrit të Irakut qëndrojnë të huajt. Në një postim në Twitter, shefi i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare Iraniane, Ali Shamkhani, e përshkruan si revoltë të drejtuar nga disa shtete.

Këto vende nuk kanë sjellë gjë tjetër në Irak, përveç pasigurisë e rrëmujës, përmes krijimit e mbështetjes për grupet terroriste.