Rajoni

Sulmohet nga serbët automjeti i ekipit të Top Channel, protestuesit i heqin targën dhe shkruajnë simbole serbe!

Ndërsa në veriun e Kosovës vijon situata e acaruar dhe serbët tentuan të hynin forcërisht në godinën e komunës së Zveçanit, por u penguan nga policia, protestuesit nuk kursyen as makinën e ekipit të Top Channel që raporton nga veriu.

Siç duket edhe në fotot më poshtë, në automjet janë shkruar simbole nacionaliste serbe dhe makinës i është hequr targa. Protestuesit serbë kanë hedhur dhe bojë të zezë mbi xhamin e përparmë të mjetit.

Edhe pse KFOR-i dhe forcat e policisë janë të pranishme në zonë, kjo nuk i ka ndaluar që të kryejnë akte sulmuese mbi automjetet pranë komunave apo të tentojnë të hyjnë me forcë brenda në institucione. KFOR-i u bëri thirrje palëve të përmbahen nga veprimet “që mund të nxisin tensione apo të shkaktojnë përshkallëzim”. Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, shprehet:

Në përputhje me mandatin jemi të gatshëm të ndërmarrë të gjitha masat për të ofruar një mjedis të sigurt, në një mënyrë neutrale dhe të paanshme.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovnier, sot u pa duke dalë nga takimi me kryetarin e komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri dhe me atë të Zveçanit, Ilir Peci, por nuk bëri asnjë deklaratë për mediat. Takimi u zhvillua në Zyrën e Bashkimit Europian në Prishtinë.

Më pas, Hovenier deklaroi:

Eshtë e rëndësishme që të shmangen situatat në të cilat zyrtarët hyjnë në ndërtesat publike përmes përdorimit të forcës. Ky është qëndrim i SHBA-ve dhe i vendeve të tjera të QUINT-it: Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Francës e Gjermanisë. Në takimin me kryetarët biseduam si ata mund t’i përmbushin detyrat për t’iu shërbyer të gjithë qytetarëve, në një mënyrë që tregon përgjegjësi. Sipas nesh,  një gjë e tillë, tani nënkupton të mos hysh në ndërtesë me forcë.

Në takim ishin ftuar të katër kryetarët e komunave me shumicë serbe në veri, por të pranishëm ishin vetëm ata të Zveçanit e Zubin Potokut, nga Partia Demokratike e Kosovës në opozitë. Ambasadori amerikan takoi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, me të cilën diskutoi mbi situatën në veri.