Rajoni

Sulmohet sërish Policia e Kosovës në veri!

Dita e sotme nisi me dy shpërthime në Sharpej të Jarinjës, ku gjendet pikëkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, fatmirësisht pa të lënduar apo dëme materiale. Këto shpërthime me mjete piroteknike u regjistruan pranë një makine të policisë e paraprakisht dyshohet se u hodhën “nga territori serb”.

Shpërthimet ndodhën pranë autoveturës së policisë në një pikë statike ku policia është e përqëndruar në parandalimin e kontrabandës në zonë.

Vetura e policisë sulmohet me mjete shpërthyese, dyshohet të jenë mjete piroteknike Prishtinë, më 16 prill 2022Sot,…

Posted by Kosovo Police on Saturday, April 16, 2022

Ky është sulmi i pestë i raportuar në katër ditët e fundit në veri të Kosovës, pranë pikëkalimeve kufitare me Serbinë.

Nga inspektimi i vendngjarjes u konstatua se në xhamin e autoveturës policore ka mbetur një copë letre [dyshohet mbështjellës i mjeteve piroteknike]. Ngjarja ndodhi në një pjesë pranë territorit të Serbisë dhe dyshimi i bazuar është se këto mjete janë hedhur nga territori serb. Policia po monitoronte një rrugë ilegale të mbyllur kohë më parë dhe që përdorej për kontrabandë të mallrave.

Sulmet në veri

Autoritetet bënë të ditur dje se Policia e Kosovës ka qenë shënjestër e disa sulmeve të kryera gjatë ditëve të fundit. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, bëri të ditur se Policia e Kosovës u sulmua më 15 prill në kohën kur do të bëhej ndërrimi i turneve në kufi.

Ky sulm me granatë dore dhe AK-47, tashmë i faktuar si një akt terrorist, u bë me qëllim frikësimin e zyrtarëve policorë e të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Sipas Sveçlës, sulmet e fundit janë kryer nga grupe të caktuara “të mbështetura nga Serbia”.

Unë mendoj se qëllimi i Serbisë në këtë moment nuk është të sulmojë Kosovën, por ta destabilizojë!

Dy muaj më parë, Policia e Kosovës nisi të mbyllë disa rrugë që shfrytëzoheshin për kontrabandë. Tetorin e kaluar u zhvillua një aksion i gjerë kundër kontrabandës në rajonet e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Sulmet e ditëve të fundit në veri të Kosovës, zonë e banuar me shumicë serbe, u dënuan nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, Bashkimi Europian dhe NATO.