Celebrities Film & Tv

“Super Pumped”, historia e vertetë dhe e hidhur e atij që krijoi Uber-in. Kritikë.

Ekranizimi që Showtime i ka bërë historisë se ngritjes dhe rënies së themeluesit dhe CEO-s së një prej kompanive më të famshme të epokës digjitale – Uber – të bën të ngresh jo njërën po të dy vetullat duke pyetur veten – A ka ndodhur vërtet kjo?! Sa nga historia e serialit “Super Pumped” është e zbukuruar dhe sa Travis Kalanick interpretuar nga Joseph Gordon-Levitt është në ekranin e vogël njësoj si jashtë tij.

“E q*jmë status quo-në”

– i thotë Kalanick stafit të tij, të cilët kanë vendosur të shkelin mbi rregullat e shkruara dhe ato të presupozuara, ligjore apo morale qofshin, sepse ata janë në biznesin e “të ndryshuarit të botës”.

“Super Pumped: The Battle for Uber”, është një realizim nga kontributorët e “Billions” – Brian Koppelman dhe David Levien dhe bazohet në librin me të njëjtin titull të gazetarit të teknologjisë në New York Times – Mike Isaac. Seriali me 8 seri portretizon lakminë dhe shkujdesin e të-fituarit-me-çdo-kusht në luginën e silikonit (Silicon Valley), duke shpalosur të gjithë paletën “The Big Short” të Adam McKay. Me metafora Tarantinoeske dhe postulatin e një-brirëshit (e përdorur për kompanitë e reja të Silicon Valley që tërheqin vëmendje). Por historia e fodullëve ultra inteligjent të perëndimit të egër amerikan është kaq e [stër]bërë saqë edhe duke u munduar ti shtosh pak dhjam historisë që nga absurdi i dikurshëm është kthyer në një klishe mbi dy këmbë.

Fokusi i “Super Pumped” nuk është aq gjenialiteti i Garret Camp (Jon Bass) dhe Kalanick, që në 2009 themeluan një nga kompanitë më të njohura dhe të ‘suksesshme’ sot e kësaj dite, sa ç’është marrëdhënia çartëse mes Kalanick dhe investitorit/mentorit të tij kryesor – Bill Gurley, interpretuar nga një Texan evergreen – Kyle Chandler. Takimi i tyre i parë është në kohën kur Travis është ende duke lëpirë plagët nga dështimi i Start-up-it të tij të parë, akoma nën tutelën e të ëmës Bonnie (shumë e re për të qënë e ëma – Elisabeth Shue) dhe të dashurës së tij Angie (Annie Chang). Përtej skepticizmit (jo edhe aq të pavend) të Gurleyt, ai vendos ti hipë trenit që po nisej me shpejtësi, një treni i cili nuk kishte ndërmend të ndalonte në stacionet e predestinuara, sepse makinisti i tij ishte një gjeni-psikotik. (Xhanëm a nuk janë të gjithë gjenitë kështu).

Në serial shihen shumë nga problemet me të cilat Uber-i përballet edhe sot, ambienti toksik dhe akuzat për abuzimet seksuale, përgjimet (deri tek përgjimet e gazetarëve që shkruanin artikuj negativë për ta), abuzime me të dhënat personale etj. Për këtë të fundit është një skenë shumë interesante, e cila zgjat sa një episod, në takimin e CEO-s së Apple Tim Cook dhe Kalanick, mbase episodi më i bukur i të gjithë serialit.  Shumë nga problemet e brendshme dhe të mbuluara të Uber-it u bënë të njohura nga një whistleblower dhe intervista e këtij të fundit për median. Le të themi që mentaliteti i kompanisë më shumë se i një kompanie shërbimi ishte i një organizate sekrete spiunazhi – sepse të bërit para me çdo kusht – është e vetmja gjë që ka rëndësi.

Këto 5 vite kanë qënë të mbushura me histori të ngjashme në thuajse të gjitha platformat e streaming-ut. Netflix pati “Inventing Anna”, Apple – “WeCrashed”, Hulu – “The Dropout” rastin e Elizabeth Holmes. Personazhet janë të ndryshme, dinamikat janë të njëjtat. Mbase kjo është arsyeja pse rrugës kanë humbur tërheqjen nga audienca – pavarësisht përfshirjes së aktoreve A-list apo skenaristëve të suksesshëm.

Me këtë nuk dua të them në asnjë mënyrë që nuk shijohet, por nuk është në asnjë lloj forme diçka që ngel. E për t’iu kthyer idesë fillestare, natyrshëm kjo histori është e pabesueshme, mirëpo ngjashmëria e saj me të tjera histori të e këtij lloji të cilat janë kthyer në pop-culture, e bën atë të jetë më pak autentike. Si të tilla veleritja prej tyre është e pashmangshme. As Uma Thurman nuk e shpëton dot “Super Pumped” për të mos e quajtur në kokën tënde been there done that thing.

Një gjë është e sigurt, mbas shikimit të serisë me një sezon, do të futeni në Google për të kuptuar vërtet çfarë ndodhi me Kalanick dhe Uber-in pas tij. Kjo në vetvete duhet të quhet fitorja e “Super Pumped”.

“Super Pumped: The Battle For Uber” gjehet në ShowTime.