Sport

Superiorja/ Partizani vuan “mallkimin” e barazimeve, Kastrioti i merr pikë Teutës!

Sot u luajtën dy ndeshje të javës së 8-të të Kategorisë Superiore, Teuta-Kastrioti dhe Partizani-Egnatia.

Nuk ka fitues në “Loro Boriçi”, me Kastriotin që ia del të marrë një pikë mjaft të rëndësishme ndaj Teutës. Durrsakët ishin të karikuar për një tjetër sukses, për të mos mbetur larg kryesuesve, megjithatë nuk bënë mjaftueshëm për të marrë 3 pikët.

Një Shkodran si Ildi Gruda shënoi për durrsakët në “Loro Boriçi”, megjithatë Teuta nuk ia doli të shënojë, pasi zëvendësimet treguan një fytyrë krejt tjetër të Kastriotit, që jo vetëm shmangu humbjen, por me pak më shumë fat mund të kishte bërë edhe përmbysjen.

Pas javës së 7, Teuta mbetet në vendin e tretë, tani me 12 pikë, 5 më pak se Tirana kryesuese, ndërsa Kastrioti ngjitet në kuotën e 5 pikëve, por mbetet I parafundit me pikë të barabarta me Partizanin.

Ndërkaq Partizani abonohet me barazimin 1-1, rezultat të cilin e ka regjistruar në 5 nga 7 ndeshjet e këtij sezoni, teksa dy të tjerat I ka humbur dhe do të duhet të presë ende për të shijuar fitoren e parë.

Mes mungesash të shumta dhe plagës së humbjes në derbi, pritej që “të kuqtë” të reagonin dhe të kërkonin fitoren ndaj Egnatias, por dëshira nuk mjaftoi, ndaj u detyruan të kënaqen me vetëm një pikë në “Air Albania”.

Në një stadium të mbyllur për shkak të dënimit nga FSHF-ja, Partizani nuk arriti të bëjë mjaftueshëm për të shkuar te fitorja dhe për më tepër, u la sërish në baltë nga kapiteni Alban Hoxha, i cili pësoi një gol qesharak që në minutat e para të ndeshjes.

Pas 7 javëve të para, Partizani mbetet në vendin e 8 me vetëm 5 pikë të grumbulluara, ndërsa rrogozhinasit mbeten të 6-ët me 9 pikë, aq sa ka edhe Vllaznia e Dinamo.