Sport

Superiorja/ Shtyhet sërish festa e titullit për Tiranën, Skënderbeu e Laçi dalin me nga 3 pikë!

Shtyhet sërish festa e titullit për Tiranën. Bardheblutë nuk shkuan më shumë se barazimi 1-1 ndaj Teutës, i pamjaftueshëm për t’i dhuruar titullin e 26-të në histori ekipit kryeqytetas, pasi Laçi fitoi 0-1 përballë Egnatias.

Distanca me bardhezinjtë kurbinas është 10 pikë, kur kanë mbetur për t’u luajtur edhe katër javë. Ekipi durrsak e nisi mirë ndeshjen, por golin e gjeti Tirana me anë të Vesel Limajt pesë minuta përpara fundit të ndeshjes.

Visar Bekaj kreu pritje të bukura ndaj Hebajt dhe Emiliano Vilës, ndërsa Qirko frenoi Taulant Seferin. Arapi hodhi në fushë Sebino Plakun, i cili realizoi golin e barazimit me kokë në minutën e 73-të.

Në fund nervat tradhtuan Redon Xhixhën, i cili u ndëshkua me karton të kuq nga Laver Alla. Përfundimisht 1-1 në “Selman Stërmasi”, me popullin bardheblu që duhet të presë sërish për të nisur festën e titullit kampion. Sfida e radhës është derbi ndaj Partizanit…

Egnatia-Laçi  0-2  

Dygolëshi i Saliu Guindo i ka dhënë tre pikët Laçit në transfertën ndaj Egnatias dhe ka bërë që kurbinasit të “blindojnë” pozitat në vendin e dytë, por në të njëjtën kohë, të shtyjnë festën e titullit për Tiranën, që nuk shkoi përtej barazimit 1-1 ndaj Teutës.

Në “Arena Egnatia” u zhvillua një sfidë shumë e luftuar, që u zhbllokua vetëm në pjesën e dytë me një devijim të lehtë, por perfekt të Guindo, që në minutën e 88’ shënoi edhe golin e dytë, duke vulosur suksesin për skuadrën e drejtuar nga Shpëtim Duro.

Humbja e dytë radhazi ndërkohë për Egnatian, që largohet me vendin e 7 të mbijetesës dhe sheh t’i afrohet Skënderbeu, ndonëse distanca është mjaft e madhe, kur kanë mbetur edhe 4 javë deri në fund.

Skënderbeu-Kastrioti 2-0

Thyhet më në fund Kastrioti. Skuadra krutane u mposht 2-0 në Korçë përballë Skënderbeut, duke prishur ecurinë fantastike prej shtatë fitoresh radhazi. Tri pikë që, në fakt, thjesht u kanë shërbyer bardhekuqve për të lënë Dinamon në fundin tabelës, pasi qëndrimi në Superiore është një mision i pamundur, edhe pse matematika ende e lejon. Një ndeshje e dobët e Kastriotit, me një ritëm të ulët dhe pa grintën e zakonshme. Mensah në pjesën e parë me kokë dhe Belaidi Pusi në të 81-tën shënuan golat për Skënderbeun, që i kishte munguar suksesi në Superiore që nga 18 dhjetori i kaluar pikërisht përballë krutanëve.