Sport

Superiorja, sot ndeshjet Vllaznia-Skënderbeu e Kastrioti Egnatia!

Abissnet Superiore, në kuadër të Javës së 31-të, sot luhen dy sfidat interesante të orës 16:45: Vllaznia-Skënderbeu e Kastrioti-Egnatia, kjo e fundit zhvillohet në stadiumin e Kamzës dhe vjen si “finale” e mbijetesës. Skuadra krutane dëshiron vijueshmërinë e rezultateve pozitive, teksa kërkon fitoren e shtatë radhazi me një kundërshtar direkt për zonën “Play-Out”, ndërsa rrogozhinasit synojnë tre pikët duke parë suksesin e djeshëm të Teutës ndaj Kukësit.

Në fillim të këtij viti ishin dy skuadrat më të kuotuara për të rënë nga Kategoria Superiore, por aktualisht përballen si dy prej ekipeve më në formë të kampionatit. Kastrioti-Egnatia tani luhet me një sy nga Europa. Fitorja ndaj Skënderbeut ka dhuruar qetësinë aq të nevojshme për mbijetesën dhe Egnatia ka mundësinë për t’u shprehur më lirshëm, falë një sulmi që funksionon duke kërkuar maksimumin edhe në një fushë të vështirë si ajo e Kastriotit.

Në po të njëjtën orë, 16:45 minuta, në stadiumin “Loro Boriçi” do të zhvillohet ndeshja Vllaznia-Skënderbeu. Shkodranët nuk fitojnë prej shtatë ndeshjesh që në takimin ndaj Dinamos dhe synojnë suksesin për të qenë ende në garë për zonën europiane, ndërsa Skënderbeu kërkon fitoren e parë në vitin kalendarik 2022, teksa korçarët ndodhen me një këmbë në Kategorinë e Parë.

Me tre barazime dhe dy humbje në daljet e fundit në Kampionat, Vllaznia nuk ka mundur të përfitojë nga hapat fals të rivalëve në garën për Europën, edhe pse vendi i katërt që i siguron pjesëmarrjen është vetëm një pikë larg. Sa i përket Skënderbeut, skuadra korçare e vulosi fatin e saj në sfidën e humbur javën e kaluar me Egnatian e madje në këtë raund mund të vijë edhe verdikti zyrtar për rënien një kategori më poshtë, nëse Skënderbeu humbet në Shkodër dhe rrogozhinasit fitojnë ndaj Kastriotit.

Presioni është i gjithi në kampin kuqeblu, me skuadrën që duket se ka humbur disi edhe nga frymëzimi për të krijuar që kishte me gjermanin Brdaric, ndaj për Vllazninë është momenti për të reaguar, duke qenë se kalendari i ofron dy sfida kundër skuadrave të fundit të tabelës dhe me një këmbë në kategorinë inferiore, me formacionin shkodran që pas Skënderbeut do të ndeshet me Dinamon. Dy sfidat janë vendimtare për shanset e Vllaznisë për të siguruar një biletë europiane nga kampionati.