Film & Tv

“Supernova” – Rrugës për në zemërthyerje. Kritikë

Është fort e rrallë të shohësh një dramë kaq konsistente dhe të trajtuar me kaq kujdes në ditët e sotshme sa “Supernova”, shkruar dhe drejtuar nga Harry Macqueen me protagonistë Colin Firth dhe Stanley Tucci. Rezultati është shkatërrimtar… për shikuesin.

Firth dhe Tucci luajnë Sam dhe Tusker, një çift prej vitesh të cilët marrin njësoj kënaqësi sa nga grindjet e momentit sa nga seksi, sa nga ledhatimet adoleshenciale po aq nga bisedat serioze. Historia e tyre tregohet ndërsa ecin me ‘shtëpizën e tyre me rrota’ nëpër zonat rurale të anglisë piktoreske. Sam ishte dikur një pianist klasik koncertesh, Tusker një romancier i apasionuar mbas universit. E njësoj si faqet e librit të Tuskerit, sfiduese sipas Sam-it sarkastik, sfiduese është edhe gjëndja e tij – diagnostikuar me demencë të hershme – ai është i vendosur për ta kaluar. Të paktën deri në një pikë.

Një film që në më të shumtën e tij ka vetëm dy personazhe dhe nuk ka flash-backs, një shpërthim në mesin e tij, një festë surprizë ditëlindjeje për Sam-in i rrethuar nga miq dhe familjarë, që më shumë se për Sam, duket si një festë lamturmire për Tusker-in i cili nuk është aq i fortë sa Sam mendon. Një lloj ri-forcimi i idesë se Sam nuk është vetëm ka kaq shumë njerëz që e duan dhe e mbështesin pavarësisht fiksimit të këtij të fundit për t’u flijuar në përkujdesjen për partnerin. Në skenën kur Sam lexon letrën e fjalimit të Tusker-it (ku i fundit e ka të pamundur ta lexojë vetë) është e pashmangshme të mos të të lëngëzohen sytë.

Dy aktorë që kanë bërë (disa) role homoseksualësh në të shkuarën, kanë një lloj burrërie e cila mungon prej vitesh në kulturën popullore, mbase edhe kemi harruar si është. Personazhet e tyre janë burra pasioni por edhe integriteti. E mbi të gjitha janë burra që e dinë se ç’është dashuria.

E vetmja pikë ku nuk bien dakord është aksioma se “çfarë dashuria mund të bëjë” Tusker-i e di se ajo nuk mund ta shpëtojë.

“Nuk duhet ta qash një njeri përpara se të ketë mbyllur sytë” – thotë Tucci si Tusker në një intonacion që mbledh gjithë dhembshurinë e botës në një fjali.

Dhembshuri, kjo është ajo që ky film (i vogël) ka me bollicë. Fundja të gjithë yjet do të shuhen një ditë njësoj si në Galaksi.