Politikë

Tabaku kërkon dëgjesë me Ministrinë e Financave për rritjen e çmimeve

Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ngriti në Komisionin e Ekonomisë një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve, rritjen e çmimeve.

Ajo tha se rritja e çmimeve dhe e inflacionit po i varfërojnë më shumë njerëzit dhe se përgjegjëse kryesore është qeveria me politikat e saj të gabuara.

Tabaku solli si shembull taksat e rritura këtë vit për fermerët.

“Rritja e taksave për fermerët në fund të 2021-shit ka sjellë dhe rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore. Sot fermerët janë duke dështuar dhe duke hedhur produktin e tyre, sepse rritja e taksave po ndikon drejtpërdrejtë në punën e tyre”, tha ajo.

Tabaku, kërkoi një dëgjesë me Ministrinë e Financave për situatën e rritjes së çmimeve dhe efektin e politikave fiskale tek qytetarët, të cilat ndikojnë në varfërimin e mëtejshëm.