Aktualitet Tech

Takim mbi sigurinë kibernetike, Xhaçka në OKB: Interneti dhe teknologjia s’duhet të përdoren si armë!

Sfidat që ka sjellë siguria kibernetike u veçuan nga kryediplomatja Olta Xhaçka, e cila për këtë çështje, me ambasadoren amerikane,  Linda Thomas-Greenfield, bashkëdrejtoi një takim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Xhaçka theksoi se interneti dhe teknologjia nuk janë e nuk duhet të përdoren si armë, por të mbeten mjete e forca për të mirën e përbashkët.

Na takon neve të përcaktojmë rrugën që duhet të marrë teknologjia. Duke identifikuar e dënuar sjelljen në kundërshtim me normat ligjore të shtetit dhe duke inkurajuar veprime pozitive për të përmirësuar sigurinë dhe stabilitetin e hapësirës kibernetike, Këshilli i Sigurimit mund të zvogëlojë rrezikun e konfliktit që rrjedh nga veprimet keqdashëse. Shqipëria rithekson pozicionin e saj, në favor të një hapësire kibernetike globale të hapur, të lirë, të qëndrueshme e të sigurt ku respektohen ligjet ndërkombëtare, të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, në dobi të zhvillimit social, politik e ekonomik. Aktualisht, mbi 1 mijë e 200 shërbime kryesore qeveritare ofrohen online.

Xhaçka vuri theksin te dixhitalizimi, që sipas saj kërkon hapësirë kibernetike të lirë, të hapur, të qëndrueshme e të sigurt. Ministrja shprehu shqetësimin mbi rritjen alarmante të sulmeve kibernetike që synojnë shtetet dhe infrastrukturat e tyre jetike. Për këto sulme tha se përbëjnë kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare e duhen trajtuar si të tilla.

Vetëm këtë vit, më shumë se dyzet sulme kibernetike kanë prekur 19 vende. Kemi prova të padiskutueshme se sulmi kibernetik në Shqipëri u orkestrua dhe u sponsorizua nga Irani. Dëmi u frenua, por ishte një dëshmi e brutalitetit të aktivitetit keqdashës kibernetik. Akte të tilla përbëjnë një kërcënim për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare e duhet të trajtohen si të tilla.

Përfaqësuesja e Përhershme e SHBA-ve në OKB, Linda Thomas-Greenfield tha se siguria ndërkombëtare kibernetike mbetet prioritet global, ndërsa nënvizoi se Këshilli i Sigurimit duhet të marrë rol drejtues në ngritjen e ndërgjegjësimit, dënimin dhe mbajtjen përgjegjës të aktorëve për aktivitete keqdashëse kibernetike.

Eshtë koha që vullnetin e mirë ta kthejmë në veprime konkrete. Ne mezi presim të punojmë me të gjitha shtetet anëtare për të realizuar qëllimin tonë të përbashkët, për një hapësirë kibernetike të hapur, të sigurt dhe të qëndrueshme, nga e cila përfitojmë të gjithë ne.

Zv.sekretarja e Përgjitshme dhe Përfaqësuesja e Lartë e Zyrës së OKB për Çarmatimin (UNODA), Izumi Nakamitsu, deklaroi se parimi i llogaridhënies është thelbësor për të trajtuar shqetësimet mbi besimin dhe mosbesimin në hapësirën kibernetike.

Takimi me temë “Përgjegjësia dhe reagimi i shteteve ndaj sulmeve kibernetike” u bashkëorganizua nga Shqipëria e Shtetet e Bashkuara. Në thelb kishte trajtimin e sigurisë kibernetike, si çështje kyçe në përgjegjësinë e Këshillit të Sigurimit për ruajtjen e paqes e sigurisë ndërkombëtare.