Aktualitet Politikë

Takim me ambasadoren Glover, Ilir Meta: Diskutuam shqetësimet për procesin zgjedhor të 14 Majit!

Vendoret e 14 Majit, sot Ilir Meta priti shefen e misionit të vëzhguesve të OD’HIR-it, ambasadoren Audrey Glover. Lidhur me diskutimet, kryetari i Partisë së Lirisë bën të ditur se në takim u diskutua mbi shqetësimet që lidhen me realizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme për pushtetin lokal, më 14 Maj. Meta u shpreh:

Me Gloverin ndava shqetësimin lidhur me listat e zgjedhësve dhe qëndrimet e Ministrisë së Brendshme e të KQZ-së, të cilat kanë krijuar problematika lidhur me ndryshimin e qëllimshëm të tyre për të krijuar paqartësi tek zgjedhësit, duke shkelur ligjin dhe praktikën e konsoliduar 20 vjeçare për to.

Gjithashtu, Meta tha se i përcolli shqetësimin për atë që e cilëson  “shpërdorim flagrant të fondeve financiare publike, përdorimin e administratës publike dhe infrastrukturës e logjistikës shtetërore për fushatën e partisë në pushtet, duke dhunuar Kodin Zgjedhor dhe çdo ligj tjetër”.

Nënvizova qëndrimin e njëanshëm të KQZ-së, e cila me vendimet dhe qëndrimet e saj nuk po kontribuon për mbajtjen e zgjedhjeve me standarde, por përkundrazi po dëmton standardet e po krijon tensione dhe konflikte të panevojshme që kanë ndikim në ecurinë para dhe pas zgjedhore.

Ndër të tjera, Ilir Meta deklaroi se ambasadores Glover i vuri në dukje edhe shqetësimin për “mosndëshkimin e veprimtarive të paligjshme të qeverisë” e mosmarrjen parasysh edhe të mjaft shqetësimeve të ngritura nga shoqëria civile.

Gjithashtu ndava me Gloverin edhe problemin e kapjes së medias nga qeveria, gjë që është në kundërshtim me interesin e zgjedhësve, të cilët janë shumë të interesuar e duan të njihen gjerësisht me kandidatët dhe programet e tyre për të bërë zgjedhjen e duhur në ditën e votimit.

Kryetari i Partisë së Lirisë shtoi se Gloverit i shprehu gatishmërinë e opozitës për të kontribuar për një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm dhe për realizimin e standardeve sa më të larta në zgjedhje.