Rajoni

Takimi Biden-von der Leyen, diskutohet edhe dialogu Kosovë-Serbi: Në rrugë të mbarë!

Dialogun Kosovë-Serbi, shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti amerikan, Joe Biden e cilësojnë jo të lehtë, por që po ecën në rrugën e mbarë.  Gjatë takimit në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, Von der Leyen tha se diskutimet me Biden-in u fokusuan pak edhe te dialogu, ku si Bashkimi Europian, ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkojnë normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës e Beogradit.

Von der Leyen ka edhe një mesazh për presidentin serb Vuçiç e kryeministrin Kurti. “Propozimi është tashmë në tryezë dhe ka një udhërrëfyes si të arrijmë atje. Presim që palët të angazhohen në mënyrë konstruktive”, – theksoi zyrtarja e lartë. Raundi i ardhshëm i bisedimeve të nivelit të lartë Kosovë-Serbi mbahet më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me fokus zbatimin e propozimit të BE-së.

Dje në ditën e dytë të vizitës në Prishtinë, i dërguari europian për Dialogun, Mirosllav Lajçak takoi përfaqësues të opozitës në Kosovë. Partia Demokratike i shprehu rezerva mbi marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë. PDK e sheh si “marrëveshje të përkohshme” që nuk ka në qendër njohjen reciproke, por asociacionin e komunave serbe.

Pas takimit me Lajçakun, partia tjetër në opozitë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ripërsëriti qëndrimin mbështetës ndaj planit europian. Për AAK-në, dokumenti shënon arritje, edhe pse nuk është njohje de-jure e Kosovës, por përmban elementë që krijojnë marrëdhënie të reja në Ballkan, veçanërisht mes Kosovës e Serbisë. Ndërkaq, Lajçak tha se ishte e rëndësishme të takohej me opozitën, teksa BE-ja po përgatit takimin e radhës në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, më 18 mars.

Javën e ardhshme, zyrtari i Unionit do të ndalet në kryeqytetin e Serbisë, Beograd për takime me zyrtarë atje, në përpjekje për të çuar përpara planet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, teksa tensionet mes dy vendeve vijojnë prej kohësh.