Aktualitet

Takimi me Thaçin në Hagë, Rama: “Lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet!”

Kryeministri Edi Rama vizitoi sot në Hagë, ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi. Pas takimit, Rama u shpreh:

Ishte një çmallje e nevojshme. Presidentin Thaçi e gjeta në top formë. I bindur, mbase dhe më shumë sesa kur e kam takuar përpara sesa të vinte këtu, që kjo ishte një rrugë e pashmangshme për të provuar katërcipërisht përpara drejtësisë pastërtinë e plotë të luftës çlirimtare dhe natyrisht edhe pastërtinë e idealit të luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të udhëheqësve të UÇK-së.

Nuk ka shumë për të thënë. Natyrisht që të gjithë ne jemi të bindur se lufta çlirimtare e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe as nuk mund kurrësesi të futet në korniza të tjera, sepse ajo është tanimë e futur në kornizën e artë të heroizmit të sakrificave, të gjakut të dhënë dhe natyrisht edhe të të gjitha përpjekjeve që kanë vijuar më tej për Kosovën e lirë, demokratike dhe sovrane.

Më herët gjatë ditës, ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi u deklarua i pafajshëm për disa akuza të reja të paraqitura nga Dhomat e Specializuara me seli në Hagë. Në seancën e sotme, Thaçi theksoi se nuk i ka kuptuar pasi ishin shumë të redaktuara, por u shpreh se “deklarohet i pafajshëm”. Përmes lidhjes video nga Qendra e Paraburgimit në Hagë, tha:

Deklarohem i pafajshëm, edhe pse materialin nuk e kam lexuar dhe nuk e kam kuptuar, por deklarohem i pafajshëm!

Gjykatësi i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, vuri në dukje se “Prokuroria e Specializuar ka paraqitur tre kategori ndryshimesh në aktakuzën ndaj Thaçit e ish-drejtuesve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. Akuzat e reja kanë të bëjnë me krime të pretenduara në dy qendra ndalimi në Suharekë dhe një tjetër në Gjilan.

Kategoria e parë lidhet me dy qendra ndalimi në Komunën e Suharekës, ku anëtarët e UÇK-së kanë kryer përndjekje, burgosje apo ndalim arbitrar, tortura, vrasje dhe zhdukje me forcë. Kategoria e dytë ka të bëjë me dy raste të përndjekjes e vrasjes, në një qendër ndalimi në Komunën e Gjilanit, si dhe modifikime të kohës kur kanë ndodhur. Kategoria e tretë përfshin pjesëmarrje personale të akuzuarit në krimet e kryera.