Aktualitet

Takimi në Tiranë i policive të kryeqyteteve europiane, Rrumbullaku: Bashkërendim i përvojave kundër krimit!

Konferenca e 43-të e policive të kryeqyteteve europiane, sot në Tiranë, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku apeloi që për të luftuar krimin e organizuar, policitë të bashkërendojnë eksperiencat e idetë profesionale. Rrumbullaku vuri në dukje se në fokus është bashkëpunimi, për t’i bërë ballë sfidave të vendosura nga krimi. “Lufta kundër krimit të organizuar është përparësi absolute, një nga mënyrat më efikase që veprojnë është krijimi i skuadrave të përbashkëta”, – tha Rrumbullaku.

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, në hapjen e Konferencës së 43-të, të Shefave të Policive të Kryeqyteteve Europiane, konferencë treditore, e cila nisi punimet sot, në Tiranë

I nderuar Z. Ministër,

Të nderuar kolegë dhe pjesëmarrës,

Është privilegj jetësor për mua si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit shqiptar, të gjendem sot mes profesionistësh të lartë, kolegësh të shquar e bashkëluftëtarësh, drejtues të policive të kryeqyteve europiane me të cilët ndajmë jo vetëm nderin që mbart vija e parë e frontit të luftës ndaj krimit, por dhe sfidat e këtij misioni, dilemat, prespektivat, prioritetet dhe ngarkesat. Krimi është sot më shumë se kurrë, pa shtetësi, pa një trajtë të caktuar, dhe e vetmja rrugë si mund të parakalojmë në këtë trajektore plot pengesa, është bashkëpunimi, koordinimi dhe unifikimi i hetimeve dhe aksioneve të përbashkëta policore. Ndonëse titullarë të policive të ndryshme, qytetarët tanë kanë të njëjten nevojë dhe garanci për siguri, për mirëqënie dhe për mbrojtje. Për ta përmbushur efektivisht këtë mision, lind nevojë dhe detyrim njëkohësisht që të bashkërëndojmë kapacitetet njerëzore, burimore, informative dhe ato logjistike. Sot jemi këtu, pikërisht për të gjetur rrugë të duhura drejt këtij bashkëpunimi, për të shkëmbyer ide dhe eksperienca profesionale, për të prioritizuar forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, por edhe për t’u njohur dhe krijuar marrëdhënie miqësore dhe partneriteti, të cilat natyrshëm ndikojnë në klimën e mirëbesimit reciprok. Qëllimi i përbashkët për të forcuar bashkëpunimin dhe rritur akoma më shumë parametrat e sigurisë në vendet tona nuk është vetëm deklarativ, por i konkretizuar në shkëmbime të informacioneve dhe eksperiencave, në zhvillimin e trajnimeve, hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta, si dhe në ofrimin e ndihmës së ndërsjellë logjistike dhe teknike.

Të nderuar kolegë, Në fokus të kësaj konference do të jenë disa nga sfidat e përbashkëta të sigurisë, shkëmbimi i eksperiencës, evidentimi dhe promovimi i praktikave më të mira të bashkëpunimit, me qëllim përballimin e sfidave të reja dhe aktuale, përballë të cilave na ka vendosur krimi. Lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme është përparësi absolute në të gjitha vendet tona. Të gjithë biem dakord, se një nga mënyrat më efikase për shkatërrimin e grupeve të organizuara kriminale që veprojnë në shtete të ndryshme, është krijimi i skuadrave të përbashkëta hetimore, por kur vjen puna për zbatimin në praktikë të këtij mjeti të rëndësishëm, dalin problematika që vijnë nga legjislacioni, organizimi dhe kompetencat e ndryshme të agjencive të zbatimit të ligjit, si dhe probleme me burimet njerëzore dhe materiale, për mbështetjen e këtyre skuadrave të përbashkëta.

Policia e Shtetit Shqiptar ka aktive 20 skuadra të përbashkëta hetimore, nga të cilat 14 me Italinë dhe pjesën tjetër, me vende të tjera të BE-së dhe EUROJUST dhe rezultatet janë premtuese. Në këtë drejtim janë hasur vështirësi pëe funksionimin e tyre, për aryet që përmenda më lart, ndaj ju ftoj ta shfrytëzoni këtë aktivitet, për të shkëmbyer ide dhe mendime se si mund të lehtësohet ky bashkëpunim. Sulmet dhe krimet kibernetike, nga një rrezik i papërfillshëm jo shumë kohë më parë, janë kthyer në një nga kërcënimet më serioze dhe sfida të vërteta për agjencitë ligjzbatuese në mbarë botën. Aktualisht, institucionet, qytetarët dhe krimi manovrojnë në të njëjtën hapësirë, tashmë krejtësisht virtuale. Kërcënimet kryesore kibernetike përfshijnë vjedhjen, fshirjen ose dëmtimin e bazave të të dhënave, aseteve dhe materialeve, hyrjen e paautorizuar në hapësirat virtuale publike ose personale, terrorizmin dhe sulmet kibernetike. Në këtë kontekst të ri, siguria kibernetike është tashmë pjesë e sovranitetit shtetëror. Platformat shtetërore të informacionit janë shpesh “preja” e përsosur për ata që duan të shkaktojnë dëme apo të përfitojnë.

Vendi ynë është përballur vitin e kaluar me 2 sulme të sofistikuara kibernetike, të cilat kanë goditur drejtpërdrejt infrastrukturën dhe shërbimet teknologjike të disa institucioneve dhe të Policisë së Shtetit. Tipologjitë e sulmit kanë qenë të njëjta dhe kanë synuar marrjen dhe shkatërrimin e bazave të të dhënave. Falë reagimit në kohë dhe efikasitetit të specialistëve të fushës, sistemet e Policisë shqiptare i rezistuan kërcënimeve të vazhdueshme. Dëmet janë shumë më të lehta, krahasuar me shkallën e agresivitetit të goditjes. Policia e Shtetit po bashkëpunon si në nivel teknik ashtu dhe në atë hetimor, me institucione dhe agjenci të zbatimit të ligjit, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me Europol-in dhe Interpol-in. Gjithashtu, po bashkëpunojmë me shoqëritë e shërbimit të internetit, kompanitë ndërkombëtare që administrojnë rrjetet sociale dhe me Microsoft-in. Gjithashtu, na është ofruar ndihmë nga agjenci të zbatimit të ligjit të shumë shteteve, si dhe nga BE, NATO dhe SHBA, të cilët gjej rastin t’i falënderoj, për solidaritetin dhe mbështetjen e ofruar.

Këto sulme përbëjnë për ne një sistem alarmi se siguria kibernetike kombëtare duhet të mbrohet nga kërcënimi dhe dëmtimi, duke përdorur metoda moderne dhe teknologjinë më të fundit, për të siguruar se funksionaliteti i platformave të informacionit online të mos ndërpritet, nëse ndodh një sulm tjetër kibernetik. Situata të tilla kanë nevojë për një qasje të drejtpërdrejtë për të mbrojtur të gjithë infrastrukturën, duke përfshirë sigurinë fizike dhe atë kibernetike. Rishikimi i niveleve të kërcënimit ka një ndikim të madh, pasi pritshmëria është që shërbimet e sigurisë të kenë aftësinë për të reaguar ndaj këtyre sulmeve në çdo çast. Kjo kërkon burime njerëzore dhe logjistike, të përgatitura. Për këto arsye, Policia e Shtetit ka vlerësuar që strukturat kundër krimeve kibernetike të fuqizohen dhe të ngrihen në nivelin e duhur. Përditësimi i strukturave përgjegjëse me metodologji, programe por dhe me specialistë, të aftë për t’iu përgjigjur çdo situate, sado komplekse qoftë ajo, përbën një sfidë në rritje për organet tona të sigurisë.

Bashkëpunimi sa më i ngushtë mes organizatave tona do të na ndihmojë që të përballojmë çdo sfidë. Në konferencë do të ndajmë me ju përvojën e përftuar nga Policia e Shtetit, në rastet e sulmeve kibernetike të vitit të kaluar. Një tjetër çështje, që shqetëson shpesh drejtuesit e policisë në kryeqytetet evropiane, është menaxhimi i ndeshjeve sportive me karakter kombëtar apo ndërkombëtar, si dhe aktivitetet me pjesëmarrje masive të njerëzve. Policia e Shtetit tashmë ka krijuar një përvojë pozitive në marrjen e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë publikë në ndeshjet ndërkombëtare të organizuar në vendin tonë. Në përmbushje të detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit në Bashkimin Europian, kemi krijuar Pikën Kombëtare për Shkëmbimin e Informacionit për Ndeshjet Ndërkombëtare të Futbollit. Shkëmbimi i informacionit bëhet tani në rrjetin e këtyre pikave.

Vitin e kaluar në Tiranë, u zhvillua finalja e parë e UEFA Konferencë Ligë. Në vlerësim të riskut të kësaj ndeshjeje, veprimeve të strukturave të Policisë së Shtetit, si dhe falë bashkëveprimit e koordinimit të tyre me delegacionet homologe, u arrit që ndeshja të realizohej me sukses dhe pa probleme të rënda për rendin dhe sigurinë në kryeqytet. Në muajin mars 2023, në lidhje me ndeshjen ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese Poloni-Shqipëri, të zhvilluar në Varshavë, përveç informacioneve të shkëmbyera me pikën e kontaktit në Poloni, jemi ftuar dhe kemi asistuar në këtë ndeshje, me një delegacion të Policisë së Shtetit. Bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të përbashkëta rezultoi i suksseshëm, pasi nga tifozët nuk pati raste të cenimit të rendit, si jashtë dhe brenda ambienteve të stadiumit.

Siç e evidentova në shumëllojshmërinë e çështjeve që shtrova për diskutim më lart, shumë më shumë janë misionet që na bashkojnë se ato që na ndajnë. Nisur nga ky postulat i rëndësishëm, përmbushja e objektivave të së ardhmes, mbetet plotësisht në dorë të vullnetit tonë institucional, urave që do të zgjedhim të ndërtojmë dhe “sytë” e partneritetit, miqësisë dhe kolektivitetit me të cilin do të zgjedhim ta shohim dhe ta integrojmë njëri-tjetrin në të ardhmen. Në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit shqiptar, ju shpreh gatishmërinë, devocionin dhe profesionalizmin e plotë për të qenë krah secilit prej jush sa herë terreni, siguria e qytetarëve tanë dhe sovraniteti i vendeve tona ta kërkojë të nevojshme. Ju falenderoj për pjesmarrjen dhe uroj që gjatë qëndrimit tuaj, të keni mundësinë të njiheni edhe me anën tjetër të medaljes, atë të vlerave, kulturës dhe traditës shqiptare. Sot Tirana mikëpritëse, ulet në tryezën e madhe të kryeqyteteve europiane, si një kryeqytet i sigurtë, fisnik dhe bujar. Përgjatë qëndrimit tuaj do të keni mundësinë të njihni ndërthurjen e vjetër historike me atë të së ardhmes premtuese dhe moderne. Faleminderit!