Aktualitet Politikë

Taksa që shtrenjton naftën nga 5 në 27 lekë/litër, por nuk shkon atje ku duhet

Në çdo litër naftë dhe benzinë qytetarët shqiptarë paguajnë taksën e qarkullimit prej 27 lekësh. Në fillim kjo taksë paguhej në Drejtorinë e Shërbimit të Transportit Rrugor, por më pas u vendos të paguhej në doganë nga importuesit e hidrokarbureve.

Në vitin 2011, Ministria e Financave e rriti vlerën e taksës në 7 lekë/litri nga 5 lekë që paguhej më parë. Në 2014, me një tjetër vendim kjo taksë u vendos të ishte 17 lekë/litri, ndërsa një vit më pas u rrit në 27 lekë.

Kjo vlerë kaq e lartë u argumentua nga qeveria se do të shërbente për mirëmbajtjen e rrugëve dhe për mbrojtjen e mjedisit, por sipas ekspertëve ajo nuk po përdoret për asnjërën prej këtyre qëllimeve.

“Në 2021 u mblodhën rreth 200 milionë euro nga taksa e qarkullimit, ndërsa për mirëmbajtjen e rrugëve shkuan vetëm 20 milionë euro. Pyetja që shtrohet është ku shkojnë paratë e tjera të mbledhura nga kjo taksë?’– tha Igli Tola

Edhe pse destinacioni i kësaj takse nuk dihet kjo nuk po i pengon aspak institucionet që të japin me koncesion të gjitha akset kryesore në vend. Kroacia fqinje, sot anëtare në Bashkimin Europian, në një raport në vitin 2006 tregon se 40% të financimit të mbi 300 kilometrave autostradë A1 të ndërtuara në territorin e saj i ka mundësuar pikërisht nëpërmjet prezantimit të një takse të tillë në çdo litër naftë.

Ekzekutivi e ka kundërshtuar ashpër uljen e kësaj takse. Taksa e qarkullimit është e pesta për nga rëndësia në të ardhurat buxhetore pas TVSH, Tatimit mbi Fitimin, tatimit mbi të ardhurat personale dhe taksave nacionale.